Rama: Sistemi arsimor i kalbur nga ligjet e mëparshme, në dhjetor nis akreditimi
Pëlqej
Në kuadër të prezantimit të verifikimit të kritereve në institucionet e arsimit të lartë, kryeministri Edi Rama deklaroi se në dhjetor të këtij viti, do të nisë akreditimi i universiteteve.

Rama u shpreh se sistemi i arsimit të lartë ishte kthyer në një skemë piramidale mashtruese gjatë qeverisjes së kaluar, që çonte dëm investimet e familjeve shqiptare.

“Ne do të bëjmë akreditimin e universiteteve nëpërmjet një agjensie kombëtare, që do të vijë nga Britania e Madhe, duke nisur nga dhjetori i këtij viti.

Kjo punë është vetëm kontrolli ligjor i domosdoshëm, të cilin Ministria e Arsimit duhet ta kishte kryer rregullisht, por që nuk është bërë asnjëherë në 20 e kusur vite.

Pasi të kalojë kjo fazë, në të cilën do të vendosen universitetet brenda kritereve ligjore, do të përballen në fund të vitit me testin e cilësisë, i cili është akreditimi.

Ne nuk do të kemi një ndarje artificiale të dëmshme mes universiteteve të shtetit dhe të privatit. Kontrollit të ligjshmërisë dhe të cilësisë, do t’i nënshtrohen të gjithë njësoj. Do të bazohemi tek merita dhe jo t’i trajtojmë disa të nënës dhe disa të njerkës.

Konkurencë dhe meritë për të gjithë në mënyrë të barabartë. E gjithë kjo është puna e kryer mbi legjislacionin në fuqi”, tha kryeministri. /albeu.com/


Shtuar më 04/08/2014, ora 13:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori