Rama: Si një skuadër për t'iu afruar Europës
"Drejt Europës nuk mund të ecet duke i vendosur “stërkëmbça” njëri-tjetrit". Kështu ka deklaruar sot kryeministri Edi Rama, në konferencën e organizuar me rastin e Ditës së Bashkëpunimit Shqipëri-Gjermani.

Më tej Rama theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, në mënyrë që vendet e Ballkanit të afrohen sa më shpejt me BE. “Këto ditë është e pashmangshme që të flasësh dhe të mos shkojë gjuha te futbolli dhe për me tepër, kur flasim me një vend ekipin kombëtar të të cilit këtu e mbështet një masë e madhe shqiptarësh, të cilët kanë qenë prej kohësh ndjekës dhe tifozë të Gjermanisë në futboll.

Kombëtarja e Gjermanisë është shembull tjetër për të kuptuar Gjermaninë dhe perse Gjermania gjithmonë ka sukses. Nëse duhet të afrohemi më shpejt me Europën, duhet të funksionojmë si një skuadër. Nuk duhet ti vemë stërkëmbça njëri-tjetrit, por as duhet ta imagjinojmë se mund të shkojmë larg me njëri-tjetrin, duke bërë autogola dhe duke pretenduar që janë gola ndaj njëri-tjetrit.

Rruga është e vështirë, por duke patur këtë mbështetje politike dhe këtë vullnet të shprehur që vit pas viti ka ardhur duke u bërë gjithmonë e më evident për ne për bashkëpunim dhe mbështetje nga ana e Gjermanisë, s’ka dyshim që rruga bëhet më e lehtë”, u shpreh Rama.

Në fjalën e tij, Rama vlerësoi bashkëpunimin me Berlinin zyrtar, duke theksuar se Shqipëria e sheh Gjermaninë si një partner me rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik, por edhe si burim lidershipi për ecurinë e qëndrueshme të gjithë rajonit.

“Duke bashkuar forcat tona me Gjermaninë, kemi vetëm për të fituar. Shpreh vlerësimin më të lartë për angazhimin e Gjermanisë në rajon dhe posaçërisht për angazhimin me Shqipërinë. Një vend i madh që ne nuk e shohim thjesht dhe vetëm si një partner me rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik, por edhe si burim lidershipi për ecurinë e qëndrueshme të gjithë rajonit”, shtoi Rama.

Sipas kryeministrit, “angazhimi rajonal dhe bashkëpunimi që Gjermania kërkon me vendet e gjithë rajonit, na vendos përpara një përgjegjësie të dyfishte. Përgjegjësia e të qenit në lartësinë e një partneri kaq serioz në bashkëpunimin dypalësh dhe përgjegjësia e të qenit në lartësinë e rolit që ky partner lider për Europën kërkon nga Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit”.

“Bashkëpunimi me Gjermaninë karakterizohet nga dialogu dhe një arsye pse projektet e financuara nga Gjermania dhe banka gjermane kanë sukses është sepse bazohen në një dëgjim të nevojave dhe analizë të kujdesshme të arsyeve të paraqitura nga pala jonë dhe ekspertët e palës tjetër, për vlefshmërinë e një projekti si pjesë e një zinxhiri vlere. Eshtë donatori me efiçencën me të lartë në raportin investim dhe cilësi e produktit”, përfundoi fjalën Rama. /albeu.com/


Shtuar më 21/10/2014, ora 11:28

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori