Rama 'shuplakë' Ristanit: Zëri i PD një ish i burgosur për mashtrim e korrupsion
Duke i'u referuar kërkesave të opozitës, kryeministri Rama u zotua se nuk do të bëjë gabimet e atyre që ishin dje në pushtet. Ai nënvizoi se opozita e sotme bën çdo përpjekje për të zhvlerësuar Parlamentin, për të njollosur integritetin e shumicës si dhe i bazon akuzat e saj në shpifje.

"Një element mbetet pjesë e pazgjidhshme e gjithë këtij diskutimi dhe për këtë arsye edhe kryetari i grupit nuk e preku, unë dua ta prek. Sepse nga ana tjetër është kthyer në një pjesë jashtëzakonisht të bezdisshme për veshët e të gjithë miqve dhe partnerëve të Shqipërisë sa herë që kontaktojnë me opozitën.

Ka të bëjë me një përpjekje të vazhdueshme, këmbëngulëse për të zhvlerësuar Parlamentin dhe për të njollosur me çdo çmim integritetin e kësaj shumice qeverisëse, duke ngritur në mënyrë konstante akuza të bazuara në shpifje dhe mbi domosdoshmërinë për të gjetur me patjetër bazë për gjithë këtë qasje terësisht të pajustifikueshme për një opozitë serioze dhe alternative.

Megjithatë edhe pse ne jemi të qetë dhe të qartë në këtë aspekt, dua të ritheksoj se nëse opozita ka ndonjë ide konkrete, propozim apo plan konkret për sesi mund të qëmtohet në jetën e tjetrit në funksion të integritetit moral të të gjithë përfaqësuesve të popullit në këtë Kuvend, ne jemi të gatshëm ta shqyrtojmë dhe ta diskutojmë propozimin apo planin e tyre”.

"Një gjë e dimë dhe e kemi respektuar me këmbëngulje dhe pse ligji nuk e kërkon. Kur kemi vendosur për të gjithë kandidatët që i kemi paraqitur para shqiptarëve për të marrë votën, nga secili dhe secila prej tyre kemi kërkuar dëshminë e penalitetit. I vetmi dokument ligjor i njohur nga ligji në vend, që përcakton raportin e një individi me ligjin dhe institucionet ligjzbatuese.

Mbetemi terësisht të hapur nëse opozita ka një ide dhe argumentat e nevojshëm për të mos cënuar lirinë dhe të drejtën kushtetuese të çdo qytetari, për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur”.

Rama i është referuar edhe akuzave të PD, sa i takon trafikut të drogës, me theks të veçantë kundrejt deputetit Ristani.

"Pjesa komike dhe në këtë aspekt është e pranishme, sepse zëri më përfaqësues i opozitës në valën e gjithë akuzave të ngritura ndaj përfaqësuesve të kësaj shumice në Kuvend apo ndaj përfaqësuesve të shumicës në nivele të ndryshme të ekzekutivit është një ish i burgosur ordiner për mashtrim dhe korrupsion.

Duke pasur parasysh faktin se ky kërkon përpara shqiptarëve në emër të opozitës, llogari për krime apo akte të paligjshme të prezumuara, të patrajtuara apo të pandëshkuar ndonjëherë nga ndonjë gjykatës i këtij vendi, gjendemi përpara një argumenti që përsëri i mbetet opozitës ta bëjë këtë.

Nëse opozita kërkon që për gjëra të prezumuara apo të kaluara plotësisht në filtrin e institucioneve ligjzbatuese njerëzit duhet të ulin kokën dhe të mbajnë përgjegjësi, çfarë duhet të bëjmë pastaj si Kuvend me këtë të burgosur ordiner për mashtrim dhe korrupsion që e kemi pjesë të Kuvendit. Kaq”.

Edhe një herë Rama përsëriti zotimin e tij se shumica që ai drejton nuk do të bëjë gabimet e paraardhësve demokratë.

"Sidoqoftë duke përsëritur atë që tha kreu i grupit, ne matemi me zotimet tona dhe me sfidat tona dhe nuk matemi me opozitën e sotme, i qëndrojmë koherent në çdo rast zotimit tonë se pavarësisht gabimeve që mund të bëjmë nuk do të bëjmë gabimet që ata që sot janë në opozitë, kanë bërë dje kur ishin në pushtet, duke cënuar drejtpërdrejt opozitën.

Që do të thotë që gjithçka që ne na është mohuar edhe pse e kemi kërkuar me këmbëngulje kur ishim në opozitë, opozita e sotme e ka pasur, e ka dhe do ta ketë të garantuar prej nesh”, deklaroi ai. /albeu.com/
Shtuar më 23/10/2014, ora 12:35

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori