Kanceri i mori jetën, kush ishte motoja e Vjosa Berishës që nuk foli kurrë për vdekjen, vetëm për jetën

Regjisorja e njohur Vjosa Berisha ka ndërruar jetë ditën e sotme në një spital të Londrës. Regjisorja nga Kosova po përballej prej kohësh me kancerin. Lajmin e trishtë e bëri me dije partneri i saj, Fatos Berisha, përmes një postimi në rrjete sociale.

Në një intervistë që dha pak muaj më parë për emisionin “Abc-ja e mëngjesit” me moderatorin Alban Musa, Vjosa rrëfeu betejën e ashpër me këtë sëmundje. Ajo thoshte se nuk e konsideronte veten një paciente pasi kjo nuk e kishte privuar të bënte gjërat që donte.

Ajo përcolli dhe një mesazh të fortë për të gjithë ata që janë prekur nga sëmundje të tilla.

“Mendoj se ato vajza dhe gra dhe burra, të cilët janë me kancer dhe familjet e tyre të kenë parasysh se është shumë me rëndësi që gjatë kësaj periudhe të dëgjojnë këshillat e doktorëve.

Të kujdesen për ushqimin dhe aktivitetet fizike sepse janë disa gjëra kyçe që ndikojnë shumë në kancer. Nuk është fundi botës, ajo që më ka ngushëlluar është se dëgjoj shumë raste që janë shëruar sesa raste fatale. Kjo më bën të mendoj se ka shpresë dhe të bëj më të mirën për t’u kujdesur për veten.“, tha ajo.

Ajo ishte 50-vjeç dhe ishte padyshim shëmbëlltyrë e rrallë forcës dhe dhimbjes. Vjosa nuk foli kurrë për vdekjen. Vetëm për jetën!

“Motoja ime në gjithë këtë proces, sepse unë ende jam me terapi, jam ende duke marrë kimioterapi dhe jam ende në proces të shërimit, motoja ime është se përderisa nuk ma pengon jetën e përditshme, nuk ma pengon punën, dmth, jam unë zhvilluar një jetë, siç e kam zhvilluar para se ta zbuloj kancerin që e kam në trup dhe përderisa mua nuk më pengon në asnjë hap timin, atëherë unë do të vazhdoj edhe do ta jetoj jetën siç e mendoj. Siç e kam jetuar gjithmonë. Kjo pastaj ka bërë që edhe për Fatosin, edhe për Lekën, djalin tim, të merret si diçka normale. Sigurisht kam marrë këshilla edhe prej njerëzve që e kanë tejkaluar sëmundjen. Një gjë që mund ta them është se nëse e mendojmë dhe sillemi rrotull, ka shumë më shumë njerëz që shërohen nga kanceri, sesa njerëz që vdesin nga kanceri.Domethënë është sëmundje që neve e shohim si të rrezikshme, madje moshat e vjetra nuk duan ta thonë as si emër. Emrin e sëmundjes nuk e thonë. Edhe tek ne, edhe tek ju. Edhe i thonë sëmundje e keqe”, u shpreh Vjosa në intervistën e saj me Mira Kazhanin.