Rama në vit pas tërmetit: Ditët më të çmendura të jetës sime, kam vetëm nevojë për kohë
Një vit pas tërmetit të 26 Nëntorit i cili mori 51 jetë dhe la në qiell të hapur mijëra njerëz, kryeministri Edi Rama ka bërë një rrëfim të gjatë për të treguar udhëtimin e procesit të Rindërtimit.

E gjitha nis me një rrëfim të orëve dhe ditëve të para pas tërmetit, dhe mbyllet me kërkesën ndaj qytetarëve, për ti dhënë më shumë kohë që të finalizojë projektin e tij për ndërtimin e shtetit që do u shërbejë brezave që do të vijnë.

“U zgjuam natën nga tundjet e shtëpisë, ishin tmerr! Menjëherë telefonatat, Durrësi keq, aty ishte dhe epiqendra, mbërrin makina dhe nisem direkt për në Durrës. Gjatë rrugës flisja me ministra dhe kryetarë bashkisë, të gjithë ishin keq. I kam çuar aty me makinë në atë stres dhe në atë nxitim, nisën sms disa nga shefat e qeverive.

Arritja në Durrës ishte drithëruese, shoh para Edisonin, një ish-deputet tonin që kërkonte në rrënojat motrën dhe fëmijët e saj. Ndërkohë që kisha një frikë të çuditshme nga vetmia, nga një ndjenjë vetmie, si dilet nga kjo situatë katastrofike për mijëra e mijëra njerëz. Kanë qenë ditët dhe netët më të çmendura të jetës sime. Nuk mbaja mend më as datat pas dy apo tre ditësh.

Ndërkohë kujtoj frikën e njerëzve, grumbullimet jashtë, ato lajmet me furi kur dikush shpërndante lajmin se do të binte sërish tërmet. Ankthi ishte i madh, sa kampe do të mund të ngrihen për të sistemuar me kushte minimale gjithë atë milet.

Duke kaluar me makinë në rrugën e plazhit më lindi ideja e hoteleve, dhe çfarë lehtësimi ishte për çdo familje që futej në autobus për të shkuar në hotel. Iku dhe një, iku dhe një, u jam shumë mirënjohës të gjithëve atyre që hapën dyert e hoteleve të tyre.

As vetë nuk e besoja që Shqipëria do të kishte aq shumë miq. Pastaj vjen Konferenca për mbledhjen e fondeve, bënim varavingo sa në Durrës sa në Thumanë, kukuvajkat në Shqipëri nuk mungonin, por ne arritëm që të siguronim 1 miliardë euro në konferencë. Ishte e mrekullueshme sesi të gjithë njerëzit u bënë bashkë.

Çdo krizë është një mundësi, e dija se duhet ta shndërronim atë fatkeqësi në një fillim të mbarë në një prespektivë të re për mijëra e mijëra familje. Ishte një rast për të dalë më të fortë, më të lidhur me njëri tjetrin, dhe kështu po ndodh hap pas hapi. Njerëzit kanë filluar që të kthehen në shtpitë e tyre, fëmijët dhe mësuesit kanë nisur që të kthehen në shkollat e reja, që janë më fantastike që ato që kishin pasur.

Njerëzit ankohen, janë të pakënaqur, dhe kërkojnë gjithnjë e më shumë nga qeveria. Unë vetë nuk kënaqem, nuk kënaqem nga puna ime, s’kam sesi. Shqipërinë e gjetëm si pallatet që nuk ranë, dhe mezi mbahen, por në këtë punë kam mësuar se duhet shumë durim për të bërë punë të mira. Ne kemi nevojë për më shumë kohë, që të ndërtojmë shtetin që meritojnë fëmijët tanë. Na duhet vetëm kohë, kjo mbase është pak, por është shumë e sigurt”, shprehet Rama.
Shtuar më 26/11/2020, ora 09:01

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori