Rama, Meta dhe Ruçi e "lidhin në shtyllë", publikohet vendimi për bisedat telefonike
Sipas vendimit të puvlikuar ditën e sotme në fletoren zyrtare, krerët më të lartë të shtetit shqiptar, Presidenti i Republikës Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Gjykatës së Kushtetuese, aktualisht Vitore Tusha mund të flasin pa limit në celular me njëri tjetrin.

Në vendim parashikohet që telefonatat mes krerëve më të lartë të shtetit të jenë pa limit dhe të rimbursohen nga buxheti i shtetit, duke përfshirë këtu edhe shërbimin roming. Ndërkohë që për kategoritë e tjera të drejtuesve ka limite.

Në vendimin theksohet se totali i shpenzimeve për celularin nuk duhet të jetë më shumë se 2% e totalit të shpenzimeve për mallra dhe shërbime të miratuara për vitin buxhetor përkatës.

Nga ky kufizim përjashtohen institucionet e pavarura më një numër jo më shumë se 100 punonjës.

Vendimi i plote i botuar ne Fletoren Zyrtare

VENDIM
Nr. 673, datë 2.9.2020
PËR PAJISJEN ME NUMËR TELEFONI CELULAR TË FUNKSIONARËVE PUBLIKË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 16, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Punonjësve të administratës publike, bazuar në funksionet që kryejnë, u ofrohet shërbimi i telefonisë celulare, sipas specifikimeve të këtij vendimi. Shpenzimet për këtë shërbim, në nivel vjetor, të jenë jo më shumë se 2% e totalit të shpenzimeve për mallra dhe shërbime të miratuara për çdo institucion në buxhetin vjetor përkatës. Nga ky kufizim përjashtohen institucionet e pavarura me një numër jo më shumë se 100
punonjës.
2. Ky shërbim mund t’u ofrohet edhe me dalje ndërkombëtare dhe pa asnjë kufizim në mbulimin e shpenzimeve nga buxheti i institucionit funksionarëve, sipas lidhjes nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Ky shërbim mund t’u ofrohet edhe me dalje ndërkombëtare, por jo më shumë se 40 000 (dyzet mijë) lekë në muaj, funksionarëve të përcaktuar
sipas lidhjes nr. 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
4. Ky shërbim mund t’u ofrohet edhe me dalje ndërkombëtare, por jo më shumë se 20 000 (njëzetmijë) lekë në muaj, funksionarëve të përcaktuar
sipas lidhjes nr. 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
5. Ky shërbim mund t’u ofrohet edhe më dalje ndërkombëtare, por jo më shumë se 10 000 (dhjetë mijë) lekë në muaj, funksionarëve të përcaktuar
sipas lidhjes nr. 4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
6. Ky shërbim mund t’u ofrohet edhe më dalje ndërkombëtare, por jo më shumë se 7 000 (shtatë mijë) lekë në muaj, për funksionin “zëvendësministër”
7. Ky shërbim mund t’u ofrohet edhe me dalje ndërkombëtare, por jo më shumë se 4 000 (katër mijë) lekë në muaj, funksionarëve të përcaktuar sipas lidhjes nr. 5, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
8. Ky shërbim mund t’u ofrohet edhe më dalje ndërkombëtare, por jo më shumë se 2 000 (dy mijë) lekë në muaj, funksionit “drejtor drejtorie në ministri” (niveli II – b), si dhe çdo funksionari të barazuar në pagë apo me pagë përkatëse më të madhe se ky funksion, por që kryen funksione drejtuese. Në këtë kategori përfituesish përfshihen edhe funksionet “këshilltar/zëdhënës shtypi në kabinetin e titullarit”, që kanë pagë të këtij niveli, si dhe këshilltari ligjor dhe ekonomik në institucionet e rivlerësim it kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe në institucionet e sistemit të drejtësisë. Për efekt të këtij vendimi, me termin “pagë” kuptohet paga e pozicionit për funksion, pa përfshirë shtesat mbi pagë për vjetërsi në punë apo shtesa të tjera mbi pagë, sipas legjislacionit përkatës.
9. Shërbimi i telefonisë Roaming u ofrohet pa pagesë për të gjitha telefonatat zyrtare të kryera nga jashtë vendit, për funksionin: zëdhënës shtypi i
Presidentit, i kryetarit të Kuvendit dhe i Kryeministrit.
10. Drejtuesit e njësive të vetëqeverisjes vendore kanë të drejtë të urdhërojnë pajisjen me numër telefoni celular të personave zyrtarë, bazuar në detyrën që kryejnë dhe brenda fondeve të parashikuara në buxhetin vjetor, sipas specifikimeve të mësipërme. Shpenzimet për këtë shërbim, në nivel vjetor, të jenë në çdo rast jo më shumë se 2% e totalit të shpenzimeve për mallra dhe shërbime, të miratuara për çdo institucion në buxhetin vjetor përkatës.
11. Drejtuesit e njësive të fondeve speciale, njësive të qeverisjes qendrore publike, kanë të drejtë të urdhërojnë pajisjen me numër telefoni celular të personave zyrtarë, bazuar në detyrën që kryejnë dhe brenda fondeve të parashikuara në buxhetin vjetor, sipas specifikimeve të mësipërme. Shpenzimet për këtë shërbim, në nivel vjetor, të jenë në çdo rast jo më shumë se 2% e totalit të shpenzimeve për mallra dhe shërbime, të miratuara për çdo institucion në buxhetin vjetor përkatës.
12. Drejtuesit e shoqërisë tregtare, me kapital 100% shtetëror, kanë të drejtë të urdhërojnë pajisjen me numër telefoni celular të personave zyrtarë, bazuar në detyrën që kryejnë dhe në varësi të mundësive financiare që kanë, të miratuar nga organet përkatëse, sipas specifikimeve të mësipërme. Shpenzimet për këtë shërbim, në nivel vjetor, të jenë në çdo rast jo më shumë se 2% e totalit të shpenzimeve administrative, të miratuara në planin financiar përkatës.
13. Për ofrimin e shërbimit, për funksionarët e përcaktuar në pikat 2, 3 dhe 4, të këtij vendimi, njësitë e qeverisjes së përgjithshme lidhin kontratat për këtë shërbim me cilindo prej operatorëve të shërbimit telefonik të lëvizshëm, që veprojnë në vend, sipas legjislacionit në fuqi.Në çdo rast, shërbimi i ofruar paguhet nga njësia e qeverisjes së përgjithshme, sipas faturës mujore për vlerën e shpenzuar.
14. Për përfitimin e shërbimit funksionarët e përcaktuar në pikat 5–12 të këtij vendimi, lidhet kontratë individuale me cilindo prej operatorëve të shërbimit telefonik të lëvizshëm që veprojnë në vend, për një numër të vetëm celular. Detyrimi financiar paguhet nga funksionari i cili kompensohet nga institucioni, kundrejt dokumentit të blerjes së shërbimit të numrit telefonik celular, por jo më shumë se kufijtë përkatës mujorë.
15. Çdo tejkalim i limitit mujor të përcaktuar si më sipër nuk kompensohet me limitin e muajit pasardhës.
16. Vendimi nr. 864, datë 23.7.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për pajisjen me numër telefoni celular të personave juridikë, publikë”, shfuqizohet. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
EMËRTESAT E FUNKSIONARËVE SIPAS
LIDHJEVE TË PËRKATËSE
Lidhja nr. 1-pa limit
Presidenti i Republikës
Kryetari i Kuvendit
Kryeministri
Kryetari i Gjykatës së Kushtetuese

Lidhja nr. 2-40 000 lekë/muaj
Kryetar i Gjykatës së Lartë
Prokuror i Përgjithshëm
Drejtues i SPAK/Byro Hetim

Lidhja nr. 3-20 000 lekë/muaj
Avokati i Popullit
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit
Zëvendëskryetar i Kuvendit/
zëvendës

kryeministër
Ministri
Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit Kryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor
Titullar i institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve
Kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë
Kryetar i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë
Lidhja nr. 4-10 000 lekë/muaj
Sekretari i Përgjithshëm në institucionet Presidencë, Kuvend, Këshillin e Ministrave Drejtori i Kabinetit të Presidentit të Republikës, kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit si dhe çdo funksionar në nivel politik ose në nivel drejtues i barazuar në pagë apo me pagë përkatëse më të madhe se ky funksion. Në këtë kategori
përfituesish përfshihen edhe funksionet “këshilltar në kabinetin e titullarit” që kanë pagë të këtij niveli.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave
Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve
Anëtarë të Gjykatës së Lartë/Gjykatës Kushtetuese
Komisionerë dhe gjyqtarë të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve
Lidhja nr. 5-4 000 lekë/muaj
Sekretari i Përgjithshëm në ministri
Magjistrat në strukturat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në sistemin e akuzës dhe gjykatave
Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme si dhe çdo funksionar në nivel drejtues i barazuar në pagë apo me pagë përkatëse më të madhe se ky
funksion. Në këtë kategori përfituesish përfshihen edhe funksionet “këshilltar në kabinetin e titullarit” apo ”zëdhënës shtypi në kabinetin e titullarit”, që kanë pagë të këtij niveli.

Shtuar më 08/09/2020, ora 21:10

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori