Rama kthehet në Tiranë, pritet ti thotë "jo" armëve kimike
Kryeministri Edi Rama ndërpret vizitën e tij zyrtare në Mal të Zi. Burime brenda qeverisë Rama bëjnë me dije se Kryeministri pritet të dalë në një konferencë për shtyp, per ti thënë jo sjelljes së armëve kimike të Assad për demontim në Shqipëri.

Përballë protestave qytetare që përfshinë gjithë vendin, duket tashmë se Tirana zyrtare do tërhiqet nga bisedimet për shkatërrimin e armëve kimike siriane.

Ndërkohë që edhe parlamenti zhvilloi një seancë në një situatë të tensionuar. Opozita e cila u shpreh sot publikisht kundër mbërritjes së armëve kimike siriane këmbënguli për një interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama, ndërsa dorëzoi kërkesën për organizimin e një referendumi për këtë çështje.

Kryetari i parlamentit Ilir Meta i cili pati edhe një bisedë edhe me protestuesit përpara godinës së parlamentit, përsëriti disa herë se për këtë çështje nuk ka vendim nga autoritetet shqiptare dhe se çdo vendim do të duhej të kalonte më parë nga parlamenti. /albeu.com/
Shtuar më 14/11/2013, ora 18:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori