Arrestimi i ish-policit serb, reagon Vuçiç: Veprim i pamatur dhe kërcënim për paqen

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e cilësoi si veprim të pamatur arrestimin e ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, nga autoritetet e Kosovës.

“Shërbimet tona e kanë hetuar shumë seriozisht të gjithë rastin. Unë bisedova me partnerët ndërkombëtarë dhe theksova pamaturinë e atyre që kryen një veprim të tillë dhe kërcënuan edhe një herë paqen”, tha Vuçiq gjatë një konference për media.

Kosova njoftoi se ka arrestuar më 10 dhjetor ish-policin Dejan Pantiq, të cilin e akuzon për organizimin e “sulmit terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Pas arrestimit të Pantiqit, serbët lokalë kanë bllokuar rrugët në veri, duke shtyrë Policinë e Kosovës të mbyllë përkohësisht pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Sipas Vuçiqit, serbët reaguan duke ngritur barrikada, pasi e kuptuan se “prisnin ditën kur dikush do të vinte për ta”.

“Pantiq është ende në bazën e Policisë së Kosovës në Leposaviq dhe për këtë janë përgjigjur serbët”, tha Vuçiq.

Sipas Vuçiqit, Pantiq jeton në ndërtesën ku gjendet edhe njëra nga zyrat e komisioneve komunale, që u dëmtuan gjatë 6 dhjetorit, kur zyrtarët zgjedhorë, nën përcjelljen e Policisë, kishin tentuar të shkonin.

Pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës – së bashku me zyrtarët e tjerë në nivelin lokal, sistemin e drejtësisë dhe institucione të tjera – dhanë dorëheqje në nëntor në shenjë pakënaqësie ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Por, në ndërkohë Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për targat, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Tensionet në veri janë rritur që nga 6 dhjetori, kur u dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok. Që nga ajo kohë, autoritetet kanë raportuar se në komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, ka pasur të shtëna me armë zjarri, hedhje të granatave të dorës dhe shok bombave.

Zyrtarët në Kosovë, për këto incidente fajësojnë “bandat kriminale” të “financuara dhe dirigjuara” nga Serbia.

Për shkak të situatës së sigurisë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi për shtyrjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës. Ato janë caktuar të mbahen në prill të vitit të ardhshëm.

Paraprakisht, zgjedhjet ishin caktuar që të mbaheshin më 18 dhjetor në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Këto komuna, që nga nëntori kanë mbetur pa kryetarë, pas dorëheqjes së tyre.


Shtuar 10.12.2022 19:36