Pse partitë pro-Putin po e zgjerojnë mbështetjen e tyre elektorale në Evropë?

Nga James Crisp “Daily Telegraph

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Jens Stoltenberg nuk ishte mësuar të akuzohej për ndërhyrje në zgjedhjet e vendeve anëtare të NATO-s. Por kjo është ajo që ndodhi me Sekretarin e Përgjithshëm të aleancës kur vizitoi Sllovakinë, një vend që është në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat kërcënojnë të ndryshojë mbështetjen e tij të vendosur për Ukrainën.

Politikanët pro-Putin po udhëheqin gjithashtu në sondazhe në Austrinë fqinje, duke ngritur shqetësime serioze se mund të nisë të prishet uniteti evropian përballë agresionit të Vladimir Putinit. Në Gjermani, Alternative für Deutschland është ngjitur në vendin e dytë në sondazhe pas kristiandemokratëve (CDU) që udhëheqin opozitën, dhe gati në një nivel me socialdemokratët (SPD) e kancelarit aktual Olaf Scholz.

Partia e të djathtës ekstreme, e cila fitoi zgjedhjet e para lokale të dielën që shkoi, planifikon tani të paraqesë për herë të parë një kandidat për kancelar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Në Greqi, 3 parti nacionaliste, përfshirë partinë e re dhe pro-ruse Spartanët, pasardhëse e Agimit të Artë, neo-naziste dhe të nxjerrë jashtë ligjit, që mori 34 nga 300 vendet në parlament ose 12.8 për qind të votave në zgjedhjet e së dielës së kaluar.

Politikanët me një qëndrim miqësor ndaj Putinit, u distancuan nga presidenti rus pas tronditjes që shkaktoi në fillim pushtimi i Ukrainës, thotë Daniel Hegedüs, bashkëpunëtor në institutin kërkimor German Marshall Fund dhe i fokusuar mbi Evropën Qendrore dhe Lindore.

“Por tendenca po kthehet dalëngadalë në drejtimin e kundërt”-shtoi ai. Madje ajo është rishfaqur më larg në Evropën Qendrore dhe Lindore, midis disa prej vendeve më afër kufirit ukrainas, teksa po nis të ndihet lodhja nga lufta dhe kriza e kostos së jetesës.

Nëse partitë pro-Putin do të shtënë në dorë levat e pushtetit, kjo do të rrezikonte ndërprerjen e furnizimeve me armëve dhe ndihmës nga ato vende për Ukrainën, si dhe pengimin e vendimeve të NATO-s ose BE-së për Rusinë.

Stoltenberg u detyrua të mbronte një fushatë informative të NATO-s për luftën, pasi ish-kryeministri sllovak Robert Fico e quajti atë një ndërhyrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në fillim të këtij muaji. Fico po bën një fushatë populiste, duke kërkuar një qëndrim më të butë ndaj Moskës, bërë thirrje për negociata paqeje, dhe madje duke i krahasuar me nazistët trupat e NATO-s në Sllovaki.

58-vjeçari dhe partia e tij nacionaliste e ekstremit të majtë, SMER, po kryesojnë sondazhet në një vend që po përballet me një inflacion në rritje dhe me krizën e kostos së jetesës, përpara zgjedhjeve që pritet të mbahen në shtator. Sllovakia ka pranuar dhjetëra mijëra refugjatë ukrainas, ka dërguar armë në Ukrainë, madje është vendi i parë që ka dërguar edhe avionë luftarakë MiG-29.

“Ajo është një nga mbështetësit më të fortë të Ukrainës brenda NATO-s. Nëse Robert Fico zbaton sloganet e tij të fushatës, do të kemi një kthese të kundërt me politikën aktuale”- thotë Hegedüs. Një sondazh i NATO-s ka zbuluar se vetëm pak më shumë se gjysma (51

për qind) e sllovakëve do të votonin për të mbetur në aleancë nëse do të mbahej sot një referendum, dhe 51-60 për qind e atyre nga mosha 25 deri në 64 vjeç duan ndalimin e dërgimit të ndihmës ushtarake në Ukrainë.

Fico propagandon narrativën se duhet të ketë një zbutje të qëndrimeve ndaj Rusisë, për të lehtësuar barrën e krizës ekonomike mbi Evropën. Kjo e tija është një taktikë e nxjerrë nga manuali i Victor Orban, kryeministrit të Hungarisë fqinje, i cili ka kundërshtuar sanksionet e BE-së kundër Moskës, ka bërë thirrje për bisedime të menjëhershme për paqe, dhe është përplasur disa herë publikisht me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky.

Ish-kryeministri çek, Andrej Babiš, përdori të njëjtin marifet në përpjekjen e tij të dështuar për t’u bërë president në zgjedhjet e janarit të këtij viti, ku ai u mund nga Petr Pavel, një ish-gjeneral properëndimor i NATO-s.

Budapesti anon dukshëm ndaj Rusisë në Grupin e Vishegradit të vendeve aleate që iu bashkuan BE-së në 2004, i cili përfshin Hungarinë, Sllovakinë, Poloninë dhe Republikën Çeke. “Vishegradi është një partneritet interesash dhe vlerash, por mbi Ukrainën ai është i përçarë”- thotë një diplomat i BE-së, duke vënë në dukje qëndrimin e ashpër të Polonisë ndaj Moskës, që nuk ka gjasa të ndryshojë as pas zgjedhjeve që do të mbahen më vonë gjatë këtij viti.

Austria, një aleate dhe fqinje e grupit të Vishegrad, që nuk është anëtare e NATO-s për shkak të neutralitetit të saj të përcaktuar me kushtetutë, është gjithashtu në prag të një sjellje më të butë ndaj Moskës. Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë (FPO), e cila u themelua nga ish-nazistët, po kryeson në sondazhet përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, dhe shënoi së fundmi shënoi një sukses të rëndësishëm elektoral në Salzburg.

Udhëheqësi i saj Herbert Kickl i përshkroi ukrainasit si “luftënxitës”, dhe kur Zelensky iu drejtua me një fjalim online parlamentit të Austrisë, deputetët e FPO braktisën sallën me pretendimin se fjalimi shkelte neutralitetin austriak. Para luftës në Ukrainë, ky vend ishte shumë i varur nga gazi rus, dhe kishte lidhje të ngushta ekonomike me Moskën.

Ekspertët thonë se FPO po përfiton nga rritja e votës së protestës, ndërsa partitë e qeverisë së koalicionit po përballen me inflacionin e lartë dhe krizën e kostos së jetesës. Ndërsa FPO-së do t’i duhet të hyjë me siguri në një koalicion, gjë që mund ta kufizojë atë në pushtet, një zbutje e qëndrimi ndaj Moskës do të ishte në favor të Orban dhe Fico, nëse ata do të vendosin të punojnë së bashku për të zbehur sanksionet e BE-së ndaj Moskës.

Këto masa kërkojnë mbështetjen unanime të të 27 vendeve anëtare, e cila u jep një veto efektive. “Orban mund të mendojë se ka përpara një mundësi të artë për të mos kundërshtuar jo vetëm politikat e BE-së ndaj Ukrainës por shumë gjëra të tjera”-mendon Hegedüs.

“Suksesi politik i partive në Austri dhe Sllovaki, që duket se përkrahin një qasje transaksionale dhe cinike, do të ishte një sfidë për solidaritetin ndaj Ukrainës”- thotë Daniel Fried, ish-ambasador i SHBA në Poloni. Presioni i SHBA-së dhe BE-së do të jetë jetik për të mbajtur të unifikuar aleancën kundër Putinit, shtoi kolegu i tij nga thinl-tanku Atlantic Council.

Ndërkohë Fabian Zuleeg, shefi ekzekutiv i Qendrës së Politikave Evropiane me seli në Bruksel, mendon se BE-së mund t’i duhet të rishikojë rregullat e saj të unanimitetit për të parandaluar bllokimin e vendimeve dhe masave në të ardhmen. “Nëse kemi një koalicion më të gjerë kundër sanksioneve, kjo do ta bëjë më të vështirë të jemi ambiciozë në këtë fushë në të ardhmen”- tha ai.

“Por Bashkimi Evropian duhet të mendojë mirë se çfarë ndryshimesh nevojiten në proceset vendimmarrëse në të ardhmen, pasi ky problem do të shfaqet sërish”- shton Zuleeg. Në Bruksel, diplomatët e BE-së thanë se ndaj Rusisë janë vendosur tashmë kaq shumë sanksione, saqë mbi çdo paketë të re masash do të jetë më e vështirë të bihet dakord sesa më parë. “Edhe pse herë pas here kishim debate, dhe tani sërish me Hungarinë, në fund ia dilnim gjithmonë të arrinim në vijën e finishit”- tha një i dërguar diplomatik i Brukselit. /albeu.com


Shtuar 29.06.2023 12:51