“Pushtoi” Romën me hashash dhe kokainë nga Brazili, dënohet shqiptari mik i “Diabolik”

Gjykata e Romës dënoi me 12 vjet burg me gjykim të shkurtuar, “narkos shqiptar” Dorian Petoku, i akuzuar për furnizim me drogë me organizatën e kryesuar fillimisht nga Fabrizio Piscitelli, i njohur më mirë si Diabolik, i vrarë më 7 gusht 2019 me armë zjarri në kokë.

Sipas mediave vendase, gjatë procedimit gjyqtari nuk e njohu rrethanën rënduese të metodës mafioze, por konfirmoi atë të shoqatës së armatosur. Sipas prokurorit Edoardo De Santis, Petoku kishte për detyrë të furnizonte drogën e shoqatës në të cilën Fabietti kishte rolin e “brokerit”, ose më saktë menaxhimit të trafikut të drogës. Një rol që sipas hetuesve ishte një ingranazh themelor në “pushtimin” e Romës kryesisht me hashash dhe kokainë.

Vetë Fabietti, në kuadër të të njëjtit hetim të riemëruar “Lidhja e madhe kriminale”, u dënua me 30 vjet burg majin e kaluar. Operacioni maxi i Nëntorit 2019 u krye nga ushtarët e Guardia di Finanza-s i koordinuar nga DDA e Romës e zv/prokurorit Michele Prestipino dhe kishte çuar në 51 arrestime.

Dorian Petoku, i datëlindjes 1988, lindur në Lezhë, ka qenë në qendër të hetimeve të rëndësishme të Prokurorisë së Romës të operacioneve “Brasile low cost” e “Grande raccordo anulare”. Ai u arrestua gjatë operacioni antidrogë të antimafias italiane “Brasile low cost”, në maj të vitit 2019 e që çoi shkatërrimin e një organizate kriminale mafioze, e cila transportonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Italisë. Operacioni u krye në bashkëpunim me shërbimet amerikane të DEA-s dhe në shtator të 2021 Dorian Petoku u ekstradua nga Shqipëria në Itali.