Rama e kthen në "inat" hallin e naftëtarëve: Kjo qeveri nuk bisedon me presione
Kryeministri Edi Rama ka komnetuar nga Kuvendi grevën e naftëtareve, duke mos hequr dorë nga e vetja.

Rama tha se ai dhe qeveria nuk shkojnë atje, nëse naftëtaret nuk mbyllin grevën, pasi sipas tij, kjo qeveri nuk bashkëbisedon nën presion.

“Dua të sqaroj ata që flasin për vete kur iu referohen hallexhinjve të këtij vendi, se hallet e njerëzve nuk zgjidhen me padituri dhe nuk zgjidhen duke gënjyer. Unë nuk kam asnjë arsye të mendoj se z. Hajdari gënjen me vetëdije, por gënjen nga padituria. Ju thoni se nafta aty po vidhet, ndërkohë që fabrika është e fikur, nuk përpunon asnjë gram naftë. Ndërkohë që nga ana tjetër fabrika përpunon naftën që nxirret nga kompania, e cila eksploron fushën pranë. Kompania është private, e huaj, dhe për sa kohë fabrika është e fikur kompania e naftës e çon në treg. Tani si vidhet nafta dhe kush e vjedh, kur bëhet fjalë për një kompani private? E vërteta është se ata nuk marrin rrogat, pasi fabrika nuk punon. Kështu që duhet të përgatiteni, kur merrni përsipër të ndihmoni njerëz, se nga dëshira për të ndihmuar, por nga padija, mund të bëni më shumë dëm se mirë.

Është e pavërtetë ajo që thoni që unë hesht, bëj sikur s’dëgjoj. Ne dëgjojmë shumë mirë, por ka një problem. Punonjësit e një kompanie private, e cila falimenton, trajtohen nga shteti me asistencë sociale. Ky është detyrimi që ka shteti. Çështja është që ne e dimë shumë mirë që ata nuk janë aty, sepse duan asistencë sociale, por asistenca sociale implikon edhe largimin përfundimtar prej aty. Ata duan paga. Po nga kush i duan pagat, nga shteti? Si mund të jetë kështu, që ata i kërkojnë shtetit të mbart si trashëgimi problemin që krijon kompania private. Nuk jemi më në komunizëm, qysh kur babai juaj dhe ju vendosët ta rrëzoni komunizmin. Marrëdhëniet e punës dhe marrëdhëniet mes individit dhe shtetit kanë ndryshuar. Këtë gjë njerëzit, në grupe të caktuara, nuk duan ta kuptojnë.

Unë po ua përsëris çdo ditë që ato zonjat atje të ndalojnë grevën dhe unë menjëherë jam i gatshëm të shkoj atje dhe të qajmë hallet bashkërisht. Ata duhet ta mbyllin grevën, sepse kjo qeveri nuk bashkëbisedon nën presion. Nuk mund t’i lejojmë vetes, me gjithë dhimbjes dhe respektin ndaj atyre grave, që këtu të krijohet precedenti që je i pakënaqur me sipërmarrësin aty ku punon, futesh në grevë dhe merr ato që kërkon pa pranuar as arsyen e tjetrit. Tjetri në këtë rast është qeveria, që administron kontributet e të gjithë shqiptarëve. Kështu që përfitoj nga rasti t’iu ftoj dhe ju z.Hajdari që të bashkoheni me mua, në përpjekjen që gratë atje të mbyllin grevën, se në të kundërt nuk do të ketë zgjidhje, nuk do të ndodhë. Kanë provuar edhe të tjerë më parë që këtë qeveri ta trembin me presione, por s’ja kanë dalë. Për çfarë u fut Azem Hajdari në grevë urie? Për t’u dëgjuar, jo për të vdekur. Ne jemi gati të ulemi, por me arsye, jo me ultimatume, se nuk funksionon”, tha Rama.

Shtuar më 29/10/2020, ora 14:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori