Rama: Duhet zgjidhje politike!
Kryetari i PS-së, Edi Rama
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi sot se “mbrëmë Shqipëria pa me zë dhe figurë në sallën e Parlamentit të saj shëmbëlltyrën jetësore të vargjeve të Dritëro Agollit: Në vendin tim/ në vendin tënd/ një kokë e çmendur/ të gjithë i çmend”. Sipas tij, dalja në shesh e korrupsionit të paparë po e fut Sali Berishën në konflikt të paparë me popullin.

“Po bën llogarinë e gabuar si atëherë kur u kap në flagrancë me Suden ndërsa tani po e kap në flagrancë me Ilir Metën. Ai po provokon popullin e tërë duke mos dashur të pranojë se Ilir Meta është prasi që është zënë në dorën e tij. Marrosja e mbrëmshme e Saliut që fliste përçart duke ju kërkuar deputetëve të opozitës të zhvisheshin lakuriq është thirrja më e madhe për popullin që të dalë në demonstratë”, u shpreh Rama. Sipas tij kemi të bëjmë me një kusar të dalë duarsh e që i lejon vetes ato që smund të ja lejonte kush.

“Kjo qeveri duhet larguar dhe i duhet dhënë zgjidhje një situatë që rrezikon të dalë jashtë kontrollit të politikës pavarësisht përpjekjes sonë për të mbajtur nën kontroll aksionin politik. Populli i ka liritë kushtetuese që nuk i ka asnjë parti dhe asnjë institucion i vendit. Ushtrimi i të drejtës së popullit vjen kur edhe opozitës i ezaurohen mundësitë që i jep roli Kushtetues. Roli ynë është të kërkojmë papushim zgjidhje politike edhe aty ku nuk duken gjasat që ajo të gjendet. Smund ta pengojmë më popullin të marrë në dorë fatin e vet”, insistoi Rama.
Shtuar më 18/01/2011, ora 14:33

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori