Rama: Dorëheqje, ose populli do të rrëzojë qeverinë
Kryetari i PS-së, Edi Rama
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama tha sot në Asamblenë Kombëtare se 80 mijë qytetarët që Meta jua shiti votat panë mbrëmë me zë e figurë se çfarë tallje e madhe kshte ajo që u quajt paturpërisht koalicion për integrim.

“Shqiptarët po shohin përmes një shembulli që i ngjan një fotografie ilustruese se çfarë i ka bashkuar dhe çfarë po i mban të bashkuar kusarin dhe matrapazin. Sot alibia e komplotit dhe montazhit ka rënë ashtu sikurse ka rënë para syve të shqiptarëve kjo qeveri. Saliu dhe zëvendësi i tij duhet të dorëhiqen ose popullit i lind pavarësisht nga ne e drejta ta largojë qeverinë me mjetet që Kushtetuta ja lejon e njeh vetëm popullit. Pasi e kanë grabitur e vjedhur, pasi e kanë gënjyer e tallur, Saliu dhe zëvendësi i pandashëm kërkojnë ti bëjnë këtij vendi poshtërsinë e poshtërsive”, u shpreh Rama.

Sipas tij, duan ta bindin popullin se atë që panë nuk e panë dhe atë që dëgjuan nuk e dëgjuan. “Duan ta vjedhin popullin për ta kthyer në qorr dhe shurdh duke e vënë përpara si tufë delesh. Duan ta bëjnë këtë vend një shëmbëlltyrë mizerabël në mes të një Evrope që i ka mbyllur derën Shqipërisë vetëm për shkakun e kusarive të tyre. U them sot Saliut dhe zëvendësit të tij se çdo ditë që vonojnë dorëheqjen dhe pranimin e zgjedhjeve të reja rëndojnë papushim pozitën e tyre para këtij populli. I hyjnë papushim më në hak këtij populli dhe e shtyjnë më shumë ballafaqimin në rrugë. Kërkojmë sot dorëheqjen e tyre jo për tu ulur në karriget e tyre por për të sjellë lirinë e konkurencës përmes zgjedhjeve të reja”, theksoi Rama.
Shtuar më 14/01/2011, ora 11:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori