Sot ndeshja e madhe, Interi në misionin “e pamundur” ndaj Liverpool

Sot në mbrëmje luhet ndeshja e madhe e Champions League midis Liverpool-Inter, në orën 21:00.

Zikaltërit do të provojnë misionin e pamundur për t’i prishur ditëlindjen Liverpoolit, i cili ka një vit që nuk ka humbur në shtëpi, që nga 7 mars 2021 ndaj Fulhamit. “Sportmediaset” thotë se Interit i duhet guximi, cilësia, intensiteti dhe ai pak fat i cili i ka munguar ndaj ekipeve të mëdha.

Zikaltërit njihen si një ekip që i pëlqen të provojë të pamundurën deri në sinjalizimin e fundit të arbitrit. Interit do t’i duhet të fitojë të paktën me dy gola diferencë për ta çuar ndeshjen në shtesë, një tentativë që do të jetë tepër e vështirë për djemtë e Inzaghit.

Suksesi ndaj Salernitanës me 5 gola të shënuar i ktheu një vetbesim të munguar prej disa kohësh, ku Lautaro dhe Dzeko gjetën golat e tyre të munguar. Asat nën mëngë të Inzaghit janë të rikuperuar totalisht, me Gosens dhe Correa të cilët do të ndezin motorët e tyre për t’i dhënë një dorë për të ngjitur malin e lartë të Liverpool.

Përballë do të kenë një ekip që nuk fal shumë,  sidomos në ndeshjet e mëdha tepër të rëndësishme si kjo e Champions League.

Me Salah, Firmino dhe Mane që janë kërcënim serioz në çdo minutë të lojës, edhe pse në ndeshjen e parë mbrojtja zikaltër arriti shumë mirë të bllokonte dyshen Salah-Mane.

Interi sot do të jetë kokë e këmbë për të kërkuar të pamundurën, gjë për të cilën e ka vërtetuar disa herë që mund ta bëjë./ h.ll/albeu.com


Shtuar 8.03.2022 09:29