Felajt “kapin” Prokurorinë e Tiranës, Xheferri: Faqe e zezë në historinë e Shqipërisë, Ramë të japë llogari

Kryetari i FRPD Besart Xhaferri bëri sot deklaratë për mediat nga Prokuroria për skandalin e radhës të drejtësisë, pasi në Prokurorinë e Tiranës bëjnë pjesë katër familjarë të deputetes së PS-së Ermonela Felaj.

Besart Xhaferri tha se kjo është një këmbanë alarmi për drejtësinë në Shqipëri, ndërsa e cilësoi rastin si një nga faqet më të zeza në historinë e Shqipërisë.

Xhaferri tha se për këtë duhet të japin përgjigje kryeministri, Edi Rama, Fatmir Xhaferraj dhe fondacioni Soros.

Besart Xhaferri: Rrethi i ngushtë i Felajt janë emëruara në Prokurorinë e Tiranës. Kjo është një këmbanë alarmi për ti treguar çdokujt që ka sakrifikuar që nga 2016 për të patur një reformë në drejtësi, ku Shqipëria ngeli katër vite pa Gjykatë Kushtetuese dhe dhjetëra mijëra çështje që nuk janë procesuar ende nga sistemi i drejtësisë. Janë pikërisht që një familje e vetme të kishte tërë Prokurorinë e Tiranës dhe sot mund ta quajmë atë “sarajet e asaj familje”. Kjo është faqja më e zezë e historisë shqiptare, shkatërrimi i drejtësisë. Sot sistemi i drejtësisë është i vdekur ku ne kemi një nepotizëm të tillë. Duhet të japin përgjigje Edi Rama bashkë me Fatmir Xhafën dhe fondacionin Soros që krijuan këtë paçavure që sot vetëm drejtësi nuk mund të quhet.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP miratoi të martën më 27 qershor me 10 votat e anëtarëve të pranishëm projektaktet për renditjen e kandidatëve për tre pozicione vakante në Prokurorinë e Tiranës, ku në të tre rastet e para në listë u rendit prokurorja e Vlorës, Eranda Felaj.

Ajo është motra dhe familjarja e katërt e deputetes së Patisë Socialiste, Ermonela Felaj, e cila pritet të emërohet në Prokurorinë e Tiranës.

Përgjatë katër viteve të fundit, në Prokurorinë e Tiranës janë emëruar tashmë tre familjarë të deputetes Felaj. Në mars të vitit 2019, KLP vendosi të emërojë si prokuror në Tiranë përmes një procedure të diskutueshme bashkëshortin e deputetes, Bledar Valikajn, pa kaluar më parë procesin e vetingut.

Vetëm pak muaj më vonë, në maj 2019, Prokuroria e Përgjithshme përzgjodhi pas një procedure konkurruese vëllanë e deputetes, Armando Felaj si oficer të policisë gjyqësore në Prokurorinë e Tiranës. Në mbledhjen plenare të datës 29 maj, u miratua projektakti për transaferimin e bashkëshortes së këtij të fundit, Alma Felaj, nga Prokuroria e Durrësit në atë të Tiranës.

Miratimi i renditjes së Felajt e para në listën e kandidatëve për të tre pozicionet vakante në Prokurorinë e Tiranës, u krye pas diskutimeve mes anëtarëve të KLP-së. Anëtari Sokol Stojani vërejti se në Prokurorinë e Tiranës tashmë janë emëruar vëllai, kunati dhe kunata e prokurores Eranda Felaj.

/albeu.com/