Rama akuzon Kurtin: Vetëvendosja ka ndërmarrë aksione për të rrëzuar qeverinë time
Për herë të parë kryeministri Edi Rama shprehet hapur kundër Lëvizjes Vetëvendosje, madje e akuzon këtë forcë politike në Kosovë se po përpiqet ta rrëzojë atë nga pushtetit.

Në një intervistë televizive në Preessing në T7, Rama ka deklaruar se asnjëherë nuk ka mbajtur anë sa i përket luftës së brendshme në Kosovë, duke iu referuar zhvillime që u shoqëruan me mocionin e mos besimit ndaj Albin Kurtit.

”Aktivistëve të Vetëvendosjes nuk besoj se iu ka ngelur hatri që unë nuk kam thënë asgjë, në kushtet kur në Kosovë partitë janë në një betejë të brendshme. Unë nuk kam marrë ndonjëherë anë në Kosovë për njëri apo tjetrin për të ndërhyrë në punët e brendshme. Aktivistët në fjalë kanë ndërmarrë aksione për të rrëzuar qeverinë time, kështu që nuk ma do mendja t’u ketë ngelur hatri pse unë nuk kam dalë që të mbroj qeverinë e tyre”, deklaroi kryeministri.

Rama ka theksuar se ka heshtur gjatë luftës politike në kohë të pandemisë pavarësisht se aktivistët e VV-së kanë ndërmarrë aksione që të rrëzojnë qeverinë e tij. Më tej veç Kurtit, shefi i qeverisë shqiptare pakënaqësinë e ka me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, ku deklaroi se ajo që e lëndon më shumë janë me të dy liderët partive në Kosovë janë gënjeshtrat.

“Ajo që mua më ka lënduar më shumë me Ramushin është gënjeshtra. Ajo që më lëndon me Albin Kurtin është gënjeshtra. Me gënjeshtrën unë kam një problem shumë të madh. Gënjeshtra publike kur flasin për çështjen e teatrit? Çdomethënë kjo që do i jepen oligarkëve?'”, u shpreh Rama.

Mes tij dhe Haradinaj pati një konflikt të ashpër sa i përket marrëveshjes së përfolur mes Serbisë dhe Kosovës për ndarjen e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve. Haradinaj e akuzonte Ramën se së bashku me Thaçin kishin rënë dakord me Vuçiç për për shkëmbimin e territoreve. Për këtë kryeministri ngriti padi për shpifje ndaj Haradinajt. Sa i përket Lëvizjes Vetëvendosjes, dega e saj në Tiranë ka mbështetur protestat e aktorëve kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.
Shtuar më 19/05/2020, ora 10:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori