"Vrasja e gjyqtarit, goditje për shtetin"
Gjykata e Lartë
Gjykata e Lartë ka reaguar dhe dënuar fuqishëm vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Ata deklaruan përms një komunikate për shtyp se ky është një atentat kundër gjithë sistemit gjyqësor.

“Akti i rëndë kriminal, cili i mori jetën sot gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Skerdilajd Konomi, ka tronditur thellë pushtetin gjyqësor ashtu si dhe mbarë opinion publik shqiptar. Krimi sot guxoi të ngrejë dorën në mënyrën më barbare dhe ekstreme ndaj një gjyqtari të Republikës së Shqipërisë. Pas kësaj ngjarje të rëndë, trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë deklaron se marrja e jetës së gjyqtarit Konomi, përbën një atentat të rëndë jo vetëm ndaj jetës së një shtetasi, por ai drejtohet kundër pushtetit gjyqësor në tërësi, kundër të gjithë agjensive të zbatimit të ligjit, si dhe kundër të gjithë institucioneve dhe funksionarëve publik të shtetit shqiptar.

Kjo ngjarje e cila fatkeqësisht pason edhe disa të tjera të ndodhura vitet e fundit ndaj përfaqësuesve të drejtësisë, është një goditje e rëndë dhe kërcënim serioz për shoqërinë shqiptare, rendin publik, demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

Kur krimi godet drejtesinë, ai kercënon te sfidojë shtetin dhe mbrojtesit e ligjit. Kjo vë në pikepyetje te madhe aftesinë e autoriteteve shteterore për të perkrahur dhe garantuar sigurine e te gjithe atyre qe punojne çdo ditë për mbrojtjen e te drejtave te njeriut dhe luftën kunder krimit.

Duke shprehur hidherimin tonë të thellë dhe ngushëllimet e sinqerta familjes Konomi për humbjen e njeriut të saj të shtrenjtë, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë bashkohen me thirrjen e komunitetit të gjyqtarëve dhe institucioneve të tjera të drejtësisë, për vënien përpara përgjegjësisë ligjore dhe ndëshkimin shembullor të autorëve të kësaj ngjarje makabre”, thuhet në deklaratën për shtyp të gjyqtarëve.

Gjyqtarët i kanë bërrje organeve kompetente shtetërore të marrin masa të menjëhershme për mbrojtjen dhe sigurinë e jetës së gjyqtarëve dhe familjeve të tyre. /albeu.com/

Shtuar më 09/09/2011, ora 17:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori