Joe Biden ka të drejtë, Xi Jingping është një diktator i rrezikshëm për Kinën dhe mbarë botën

Nga Nigel Jones “The Spectator

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Ashtu siç një orë e prishur e tregon orën e saktë dy herë në ditë, edhe presidenti amerikan Joe Biden, mes bollëkut të gafave që dalin rregullisht nga buzët e tij, shpreh herë pas here të vërtetën e qartë dhe të panjollosur.

Kështu ndodhi edhe gjatë fjalës që mbajti në një aktivitet të Partisë Demokratike në Kaliforni për mbledhje fondesh për fushatën presidenciale të vitit të ardhshëm, kur Biden e quajti “një diktator” presidentin e Kinës Xi Jinping.

Duke shpjeguar arsyen pse dha urdhrin për të rrëzuar balonën spiune kineze që hyri në hapësirën ajrore të SHBA-së në muajin shkurt, presidenti amerikan tha se Xi ishte “zënë ngushtë” sepse balona kishte dalë nga kursi i paracaktuar dhe pretendonte se “nuk e dinte se si kishte arritur atje”.

Diplomatët amerikanë, si Sekretari i Shtetit Anthony Blinken (që sapo u takua në Pekin me Xi Jinping), mund të jetë drithëruar kur dëgjoi komentin e sinqertë të Biden. Por për ne të tjerët, deklarata e sinqertë e presidentit amerikan – tamam e ajo e fëmijës në përrallën e famshme që guxoi dhe ngriti zërin duke thënë se mbreti ishte lakuriq – ishte shumë e nevojshme.

Sepse udhëheqësi kinez është vërtetë një diktator dhe veçanërisht i pamëshirshëm në synimin e tij për të vendosur dominimin dhe hegjemoninë botërore të Kinës. Sepse Partia Komuniste Kineze (PKK) të cilën ai e drejton, ka një monopol të pushtetit mbi qytetarët e saj.

Ai e ushtron këtë pushtet në mënyra që janë të neveritshme për cilindo që jeton në demokracitë liberale perëndimore dhe që gëzon lirinë e mendimit dhe të shprehjes. Kinezët e zakonshëm lejohen të shijojnë frytet e kapitalizmit shtetëror të Kinës, por vetëm për sa kohë që ata pranojnë kontrollin e shtetit mbi jetën e tyre dhe refuzojnë me bindje të vënë në dyshim sundimin gjithnjë e më arbitrar të Xi-së.

PKK vendos për liri të tilla themelore si numri i fëmijëve që lejohen të kenë kinezët (një politikë e cila përfundoi vetëm në vitin 2016), ku mund të jetojnë dhe çfarë mund të shikojnë në TV ose internet. Kushdo që guxon të vërë në dyshim sundimin e Partisë Komuniste Kineze, rrezikon një periudhë të gjatë burgimi.

Persekutimi i komunitetit mysliman ujgur të pakicës racore dhe fetare, ka arritur nivele që janë denoncuar si një gjenocid nga organet dhe organizatat ndërkombëtare. Ujgurët që i përmbahen besimit dhe zakoneve të tyre përballen me burgosje, riedukim dhe sterilizim në kampe që të kujtojnë Gulagun Sovjetik në kulmin e sundimit të Stalinit.

Jashtë vendit, Kina është duke përkulur “muskujt” e saj ekonomikë nga Paqësori në Afrikën Sub-Sahariane, duke i detyruar vendet që e pranojnë qasjen e saj të të nënshkruajnë marrëveshje në dukje shumë pozitive, por që i lënë Kinës kontrollin efektiv të tregtisë dhe infrastrukturës së tyre kombëtare.

Kina është në prag të tejkalimit të SHBA-së si superfuqia ekonomike e botës, dhe tani po e sfidon edhe supremacinë ushtarake të SHBA-së. Duke marrë një fletë nga manuali i lojërave të aleatit të tij dhe mikut të tij diktator Vladimir Putin mbi atë që po bën në Ukrainë, Xi po përgatitet tani për atë që shumë ekspertë presin të jetë një përpjekje e pashmangshme për të ripushtuar ishullin e shkëputur kinez të Tajvanit në të ardhme jo shumë të largët.

Joe Biden ka të drejtë: Xi Jinping është një i moshuar që e ka me nxitim dhe një diktator që paraqet një kërcënim shumë real për popullin e tij po edhe për pjesën tjetër të botës. /albeu.com

Shënim:Nigel Jones është historian dhe gazetar. Libri i tij i ardhshëm titullohet “Salloni i koteleve: Seksi, spiunazh dhe mbikëqyrje në Rajhun e Tretë”


Shtuar 22.06.2023 12:10

Tags: