Qosja: Stalinisti i fundit europian më bllokoi titullin
Akademiku Rexhep Qosja ka reaguar në lidhje me bllokimin e titullit “Qytetar Nderi” nga Tropoja duke akuzuar kryeministrin Sali Berisha se ga gisht në këtë cështje.
Profesori falënderon nismëtarët e vlerësimit të tij, shprehet i bindur se një ditë do t’i kërkojnë falje për anulimin e vendimit të marrë në muajin nëntor.

“I falenderoj këshilltarët e komunës Tropojë për vendimin e tyre me të cilin më kanë shpallur qytetar nderi në Tropojë. Kryetarit që ka anuluar vendimin e këshilltarëve, me përshëndetjen ia shpreh dhe bindjen time të sigurt se njëri nga kryetarët e ardhshëm me rastin e rishpalljes sime qytetar nderi i Tropojës do t’i kërkojë falje Rexhep Qosjes për sjelljen ndaj tij të kryetarit të sotëm të Tropojës. E kuptoj dhe e ankoj: Është i detyruar prej stalinistit të fundit europian ende në pushtet të bëjë çka në të vërtetë s’ka dëshiruar të bëjë”, shprehet ai.

Qosja i përgjigjet kryeministrit shqiptar edhe ndaj akuzave të dy muajve më parë, se nuk kishte hapur shtëpinë në Vuthaj për shqiptarët e Kosovës gjatë luftës.

“E kuptoj edhe rrenën në asnjë rast të fundit të kryeministrit, që tha për mua në takim me gazetarët. E ai tha se unë nuk paskam lejuar që në shtëpinë time në Vuthaj të vendosej ndonjë familje e Dukagjinit, që gjatë luftës në Kosovë u shpërngulën në Plavë e në Guci. E vërteta është se në shtëpinë time në Vuthaj në atë kohë ishte vendosur Cen Krasniqi nga Lugu i Baranitit me familjen e tij: me gruan me të bijën dhe dy djemtë. Gënjeshtar i lindur gënjeshtar, Sali Berisha, mund të informohej për këtë të vërtetë, por jo: ai donte të rrente”, nënvizon ai për GSH.

Qosja nuk lë jashtë vëmendjes as komentet e bëra në adresë të tij e të kryebashkiakut Shpëtim Gjika për titullin “Qytetar Nderi” i Vlorës, duke deklaruar se do të ishte i lumtur nëse vlerësimi do t’i ishte bërë për kritikat ndaj shefit të qeverisë shqiptare, pasi ai gjithmonë e ka konsideruar fatkeqësi ngritjen e Berishës në politikë.

“Shkrimet dhe deklaratat e përfaqësuesve të partisë greke, e quajtur Agimi i Artë përmbanin një nacionalizëm primitiv! Ato ishin njëkohësisht edhe fyese ndaj shqiptarëve si komb. Deklarata kryesore shumë e nevojshme me të cilën Aleanca Kuqezi u përgjigj ndaj shovinizmit kundërshqiptar të një partie parlamentare greke, që e paraqiti Lisen Bashkurti, nuk më bëri përshtypjen e deklaratës nacionaliste: ajo ishte një deklaratë politike atdhetare me të cilën mbrohej kombi shqiptar prej nacionalizmit primitiv të asaj partie neonaziste greke. Por disa prej argumenteve që mbështetej kjo deklaratë e AK nuk mu dukën bash përkatëse se mu dukën romantike, kur e kur të papërqendruara”, shprehet Qosja duke iu referuar deklaratave të Agimit të Artë. /albeu.com/
Shtuar më 05/02/2013, ora 09:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori