Bejko: Unë jam i vetmi kandidat i së djathtës në Tiranë, të tjerët janë socialistë dhe komunistë

Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranë në zgjedhjet e 14 majit, Roland Bejko është prezantuar ditën e sotme para mbështetësve demokratë.

Bejko deklaroi para tyre se kandidoi për arsyen se “nuk mund të pranohej përfaqësimi nga një non-grata në Tiranë”, duke iu referuar kandidaturave të koalicionit ku bën pjesë ish-kryeministri Sali Berisha.

Sipas Bejkos, ai është i vetmi përfaqësues i të djathtës shqiptare, ndërsa i cilësoi kandidatët e tjerë në garën elektorale si “socialistë dhe komunistë

Të dashur motra dhe vëllezër, këtë kandidim dhe këtë përgjegjësi e kam pranuar me bindjen dhe besmin më të madh. Është vendimi më i duhur dhe i më i drejtë që kam marrë në jetën time politike, për disa arsye:

E para sepse ka të bëjë me karakterin tim. Asnjëherë në jetën time 33 vjeçare brenda Partisë Demokratike nuk jam stepur nga sfidat dhe vështirësitë. Gjithmonë, në momentet më të vështira, sa herë që është dashur kontributi im për Partinë Demokratike, nuk jam kursyer në asnjë moment. Të gjitha energjitë dhe njohuritë e mia i kam vendosur në shërbim të saj dhe të demokratëve, pa përfituar asnjë gjë mbrapsht. Sepse jam njeri prej jush, demokratëve të thjeshtë që vetëm kanë luftuar për Partinë Demokratike dhe s’kanë përfituar kurrë prej saj. Dhe sigurisht që nuk do të stepesha as kësaj radhe. Aq më shumë në këtë garë ,ku lipset kontributi i të gjithëve ne. Unë e shikoj politikën si mision dhe jo si përfitim. Kështu jam unë. Një idealist i pandreqshëm, dhe kështu do të jem gjithmonë. Njësoj si të gjithë ju këtu.

E dyta, si mund të pranoja unë, si mund të pranonim ne të gjithë, që demokratët në Tiranë, në kryeqytetin e Shqipërisë të përfaqësoheshin nga një non-grata nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, i izoluar nga e gjithë politika perëndimore si Sali Berisha. Si mund të pranonim ne, që demokratët në Tiranë të përfaqësoheshin nga një socialist si Ilir Meta. Demokratët nuk e meritojnë një poshtërim të tillë. Ne jemi këtu sot , unë jam në këtë garë pikërisht për të shpëtuar nderin dhe historinë e Partisë Demokratike që mos të rrëshkasë në duart e një autokrati lindor dhe në dorën e një grabitqari politik si socialisti Ilir Meta, të cilin Sali Berisha e ka futur në mënyrë të pabesë në gjirin e demokratëve, që ai votat e tyre ti marrë dhe ti çojë nesër te pazari i radhës me Edi Ramën. Kjo është një tradhti historike, një thikë mbas shpine që I ka futur demokratëve dhe të djathtës Sali Berisha. Kjo është pabesia më e madhe politike që i ka bërë atyre demokratëve të ndershëm, që janë të gjithë miqtë dhe shokë tanë. Por ne, kurrsesi nuk mund tja jepnin këtë kënaqësi. Ne jemi këtu, pikërisht për të ndalur këtë pabesi. Ne jemi këtu, për ti thënë të gjithë shokëve tanë demokratë që kjo është partia e tyre, Partia Demokratike është shtëpia e tyre dhe jo Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir metës.

E treta, kandidatura jonë në Tiranë është e vetmja alternativë e së djathtës shqiptare në këto këto zgjedhje. Të gjitha të tjerët janë flamuj të majtë. Nga komunistët e deri të socialistët. Në këtë kuptim kjo garë, ka rëndësi edhe më të madhe për demokratët dhe të djathtën shqiptare. Nuk mund ta linim ne Tiranën në dorën e së majtës , sepse e dimë shumë mirë se çfarë shkatërrimi janë për të ardhmen e saj dhe të qytetarëve të Tiranës.

Dhe e fundit, por më e rëndësishmja, unë pranova të kandidoja në këtë garë sepse besoj fort se ne do te dalim me kokën lart dhe fitues. Unë kam besim te ju dhe të gjithë njerëzit e ndershëm të Tiranës, se ne mund ta shporrim Erion Velinë nga zyra që ka zaptuar .

Jam i ndërgjegjshëm që nuk është një betejë e lehtë, por ai që beson, në fund fiton. Dhe unë besoj te suksesi ynë i përbashkët që fillon nga Tirana”, u shpreh Bejko.


Shtuar 18.04.2023 19:04