QESHARAKE/ Morën edhe shoferët: Shqipëria jep më shumë pasaporta diplomatike se Anglia
Sipas një dokumenti zyrtar të siguruar nga “Top Story”, dhënia e pasaportave diplomatike për kategori të ndryshme është rregulluar me VKM NR 335. DT 2.09.1997 “Për Lëshimin e Pasaportave Diplomatike dhe të Shërbimit”.

Por çfarë ka bërë politika shqiptare? Pas vitit 1997 kanë dalë edhe 25 VKM të tjera. Secili prej tyre, nga viti në vit, vetëm i shtonte listës, kategori të tjera që mund të përfitonin pasaporta diplomatike. Kjo është arsyeja kryesore përse kemi pasaporta diplomatike më shumë se Anglia.

“Top Story” ka siguruar listën ku tregohen kategoritë e ndryshme të individëve që kanë të drejtë të marrin pasaporta diplomatike.

Lista ka gjithsej 78 kategori. Në krah të cilës kategori jepet edhe VKM-ja në të cilën mbështetet e drejta për pasaportë diplomatike dhe shërbimi.

Në këtë listë nuk futen diplomatët e karrierës dhe deputetët.

Ja cilat janë disa nga këto kategori.

Vetëm nga agjencitë shtetërore kemi 15 kategori që përfitojnë të drejtën për këto pasaporta. Këtu psh. Futet drejtori i rezervave të shtetit, Drejtori i KESH-it, Drejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe deri tek organizatat e punëdhënësve dhe punëmarrësve.

Lista vazhdon me Akademinë e Shkencave, avokatin e popullit, agjencinë telegrafike shqiptare, Bankën Qendrore, entet shtetërore, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, komunitete fetare etj.

Ajo që bie në sy është se në disa institucione, e drejta për pasaportë diplomatike u njihet edhe shoferëve të kryetarëve. I tillë është rasti i shoferit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe shoferi i Kryetarit të Kontrollit te Lartë të Shtetit. Pra këta shoferë kanë pasur pasaporta diplomatike dhe mund të udhëtonin jashtë shtetit me lehtësira të mëdha.

Po të marrësh në konsideratë që në secilën nga këto kategori bëjnë pjesë me dhjetëra persona atëherë kupton se nga del një numër kaq i lartë i shpërndarë i pasaportave diplomatike.

E drejta për pasaportë diplomatike njihet edhe me ligj të veçantë sipas kategorive të ndryshme.

P.sh. Ligji për statusin e deputetit, neni 16, përcakton se Deputetit dhe bashkëshortes ose bashkëshortit, u njihet e drejta e pajisjes me pasaportë diplomatike gjatë kohës së kryerjes së mandatit, si dhe 3 vjet pas mbarimit të tij.

E njëjta fjali gjendet edhe në ligjin për gjykatën Gjykatën e Lartë dhe ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Edhe nëse ata largohen nga ky post, pasaportën diplomatike mund ta mbajnë deri në 3 vite pas largimit nga detyra.
Shtuar më 18/09/2019, ora 09:58

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori