2023-shi ngjyroset zikaltër, Interi fiton derbin me “manita”

2023-shi është zikaltër. Interi fiton edhe derbin e pestë dhe të fundit për këtë vit ndaj Milanit, këtë herë me rezultatin bindës 5-1, duke konfirmuar formën e shkëlqyer që po kalon në këtë fillim sezoni.

Të dy skuadrat vinin në derbi me moralin e lartë, pas startit të kampionatit me nga tre fitore secila, megjithatë u deshën vetëm 5 minuta që derbi në niste ngjyrosjen zikaltër.

Një zbritje e shpejtë e Marcus Thuram në krahun e djathtë, pasim për Mkhitaryan dhe armeni dërgon topin në rrjetë, duke ndezur festën e “San Siro”-s së mbushur me rreth 70 mijë tifozë të Interit.

Milani provoi reagimin dhe Theo i shkoi pranë golit të barazimit, por pas një aksioni model, gjuajti lehtë dhe jashtë. Më pas vjen një tjetër zbritje e Interit, me Thuram që bën gjithçka mirë para se të lëshojë një të djathtë perfekte për të dërguar topin në trekëndëshin e Mike Maignan.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e dyfishtë të zikaltërve, teksa 45-minutëshi i dyti nisi mes reshjeve të mëdha të shiut dhe dëshirës për reagim nga ana e Milanit, që në minutën e 58’ rihapi takimin me Leaon. Sulmuesi portugez u shërbye mirë nga Giroud dhe shfrytëzoi shpejtësinë për t’i shënuar yann Sommerit golin e parë sezonal.

Por entuziazmi i kuqezinjve shuhet shpejt, pasi në minutën e 69’ Interi bën një tjetër zbritje të shpejtë, me pak pasime dhe Mkhitaryan shënon golin e dytë personal e të tretin për Interin, i ndihmuar edhe nga devijimi i Loftus-Cheek.

Në të 79-ën, Theo Hernandez ndërhyn me një kohë vonesë ndaj Lautaros, duke shkaktuar penallti, teksa nga pika e bardhë shkon Hakan Calhanoglu, që shënon golin e ish-it, por edhe të katërtin për zikatlrit.

Festa u kompletua në shtesë nga njeriu i momentit në Itali, Davide Frattesi, i cili pasi shënoi dy gola ndaj Ukrainës katër ditë më parë, kishte ruajtur edhe një në derbi, duke kompletuar fitoren bindëse 5-1.

Pas kësaj sfide, Interi ngjitet në krye i vetëm, me 12 pikë të plota, ndërsa Milani mbetet në vendin e dytë, me 9 pikë dhe me shumë punë për të bërë, në mënyrë që të lërë pas krahëve këtë disfatë.


Shtuar 16.09.2023 20:08

Tags: ,