Qëllimi ishte të ekzekutohej, pse nuk ndodhi vrasja e Arjan Ndojit?
Të nesërmen e 1 nëntorit, prokurori i Durrësit Arjan Ndoj dha dëshminë e tij të parë për kolegët e Krimeve të Rënda. Prokurori tha se nuk ka qenë ai objekt i atentatit, por personi që udhëtonte me të me pseudonimin “Rrumi”.

Mbi këtë bazë nisën hetimet dhe sigurisht bazuar në provat e gjetura në vendin e ngjarjes. Kyç në hetime ishte edhe një dosje e pronave të Gjirin e Lalzit, për të cilën ende Prokuroria nuk ka dhënë një version të qartë se përse ato ndodheshin në automjetin e prokurorit Arjan Ndoj.

Pas atentatit të 1 nëntorit, ku mbeti fillimisht i plagosur dhe më pas gjeti vdekjen në spital shoferi i prokurorit Andi Maloku hetimet u intensifikuan dhe njeriu i parë i vënë në pranga ishte Redjan Rraja që ndodhet në qeli, shkruan Shqip.

Ndërkohë, hetimet nuk janë kryer vetëm nga autoritetet shqiptarë. Edhe ekspertë të huaj janë përfshirë në këtë hetim, kryesisht të spektrit kompjuterik. Specialistë izraelitë mësohet se kanë zbërthyer të gjitha kodet e telefonit të shtetasit Redjan Rraja.

Ekspertë të hetimit e kanë të qartë të gjithë skemën e krimit. Për ta nuk ka qenë objekt viktima Andi Maloku, por prokurori Arjan Ndoj dhe “Rrumi”, i forti i Sukthit që njihej me emrat Aleksandër Laho dhe Pëllumb Muharremi.

Ndërkohë, tashmë hetimet kanë hyrë në një fazë të re dhe arrestimi i Arjol Halilajt pritet të shënojë një kthesë në veprimet proceduriale që kanë mbetur në “vendnumëro” deri dje, kur edhe u krye një tjetër arrestim. Burime të ndryshme thanë për Gazetën Shqip se po tentohet që Halilajt t’i ofrohet statusi i dëshmitarit, por ende nuk ka asnjë qasje nëse do ta pranojë apo jo këtë, duke përfituar të gjithë lehtësirat e ligjit.

Ndërkaq, krimi nuk ka qenë aspak paralajmërues. Vendi i përzgjedhur i atentatit ka qenë një vend vetëm për ekzekutim, por duket se autorëve u ka dalë nga duart situate për shkak të mungesës së shënjestrës dhe manovrimit të shpejtë të shoferit që mbeti viktimë.

Sot në mesditë, Arjol Halilaj është marrë në pyetje, por ende nuk është bërë publike asgjë nga dëshmia e tij për prokurorët e SPAK.
Shtuar më 06/05/2020, ora 13:58

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori