"Pyll pa derra nuk ka", Rama përgjigjet për korrupsionin dhe sulmin ndaj Francës

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur komenteve të ndjekësve në rrjete sociale në lidhje me korrupsionin tek spitali Covid 2 dhe për reagimin e Ambasadës Franceze për vaksinat pasi i tha se ‘po i mbanin stok’.

Një prej ndjekësve i kujton rastin e “Tire Alldervishit” në postimin ku Rama krenohet me shifrën e mjekëve dhe infermierëve të vaksinuar, duke i thënë: “Bëju dhe vaksinën anti korrupsion mjekëve të vijës së parë, që t’iu rregullohet akoma më mirë buzëqeshja.”

Ndërsa kryeministri nuk heziton ti kthejë përgjigje duke i thënë se asgjë nuk e bën më pak heroike punën e tyre.

“Ti dhe kushdo flet si ti u merr të keqen mjekëve e infermierëve! Pyll pa derra nuk ka dhe as një e as dhjetë të korruptuar, nuk e bëjnë më pak heroike sakrificën e mijëra mjekëve e infermierëve!”

Sa i përket letrës së ambasadës franceze në Tiranë, për deklaratën e Ramës se “Franca i ka lënë stok vaksinat që ka siguruar, kur fare mirë një pjesë të tyre mund t’ia jepte Shqipërisë”, kryeministri thotë se ka fjala e tij ka dalë nga konteksti, por për këtë nuk mërzitet aspak.

Rama: Unë nuk kam sulmuar asnjë aleat dhe aq më pak Francën në rastin konkret! As nuk e kam harruar dhe nuk e harroj që Bashkimi Europian e ka ndihmuar Shqipërinë qysh se vendi ynë doli nga burgu i diktaturës e deri më sot. Përkundrazi, e kam çmuar dhe e çmoj pa lëkundje Bashkimin Europian për njëmijë e një arsye, përfshirë pa dyshim edhe ndihmën e paçmuar që i jep Shqipërisë tash 30 vite. Unë kam folur për një çështje konkrete në një situatë konkrete, lidhur me vaksinën dhe nuk i heq asnjë presje atyre që kam thënë!

Lënia jashtë e vendeve të rajonit tonë në shpërndarjen e vaksinës kundër Covidit nga ana e BE, nuk ka asnjë justifikim në asnjë plan dhe këtë e kupton çdokush që bën sikur s’kupton! Ndërsa ankesa e ambasadës franceze meqë unë e ilustrova opinionin tim duke sjellë shembullin e Francës (siç mund të sillja shembuj të tjerë) është pa lidhje me qëndrimin tim dhe konkretisht edhe me sjelljen e shembullit të Francës, për të ilustruar idenë se nuk kishte pse të mos i jepeshin edhe vendeve tona disa doza për mjekët të paktën, kur ato s’mund të përdoren të tëra menjëherë në asnjë vend të BE!

Franca është jo vetëm një nga vendet më të mrekullueshme të botës e më të përparuara të Europës në cdo drejtim, as thjesht një vend mik e aleat i Shqipërisë, po edhe një vend i veçantë në zemrën e në mendjen time, ashtu sikundër është edhe BE-ja një amanet e një destinacion i patjetërsueshëm i Shqipërisë e shqiptarëve.

Ankesa e ambasadës franceze nuk ndryshon asgjë në asnjë drejtim, ashtu sic e drejta për të menduar ndryshe vlen si gjithnjë njësoj si për Francën edhe për Shqipërinë në këtë rast; si për hartuesit e ankesës në emër të Francës, is për mua që flas në emër të Shqipërisë.

Por ty të them miqësisht se duke e nxjerrë nga konteksti ankesën e ambasadës franceze gabon njësoj siç gaboi ambasada franceze duke nxjerrë nga konteksti ato që thashë! Madje në fakt gabon edhe më keq, sepse flet jo vetëm pa lidhje me ankesën konkretisht, po edhe thua gjëra pa lidhje!

Një fjalë e bukur popullore thotë se miqësia e vërtetë nuk i ka të gjitha fjalët prej mjalti, kështu që as ti mos u mërzit, as ambasada s’ka pse mërzitet, se unë jo e jo, çfarë nuk dëgjoj po nuk mërzitem.
Shtuar më 17/01/2021, ora 13:19

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori