Pse interneti u fiksua me foton e senatorit amerikan
Kristen Lee është një profesoreshë e shkencave të sjelljes njerëzore dhe autore e “Mentalligence: A New Psychology of Thinking and Reset: Make the Most of Your Stress”, një libër i cili në Amazon përshkruhet si i rëndësishëm për të rimenduar ato çfarë kemi mësuar, sepse mendimet bëhen sjellje. Në një analizë të fundit, botuar në Psychology Today, ajo shpjegon se pse interneti u fiksua me Bernie Sanders, senatorin e Vermonit, i cili mori vëmendjen e të gjithëve, pavarësisht se ndodhej mes një morie njerëzish të rëndësishëm në ceremoninë e përurimit të Joe Biden si president.

“Nuk ngopemi sa duhet me atë foto. Unë dhe shumica e njerëzve kemi komunikuar përmes memeve të Bernie-t. Të gjithë qeshim,” shkruan Kristen Lee.

Ajo shpjegon se njerëzit u fiksuan me senatorin – i njohur për qëndrimet e tij për drejtësi dhe paqe – sepse “autenticiteti vështirë të arrihet”. “Në një botë me trille, imazhe të kuruara dhe pretendime të rreme, është bukur të shohësh një njeri që mishëron përulësi dhe jo pushtet mbi njerëzit,” shton ajo.

Lee nxjerr në pah se mes kaq shumë situatash tronditëse që ka përjetuar njerëzimi gjatë këtij viti, “humori ndihmon në shërimin e traumës”.

“Këto çështje jetike nuk shërohen me meme, por ka rëndësi kur ne përdorim humorin si mjet për të përballuar gjërat.”

Ajo e sheh veshjen e senatorit si simbol të një gjuhe të përbashkët, ku njerëzit heqin dorezat e boksit dhe vendosin ato prej leshi.

"Unë thjesht po qëndroja aty dhe po përpiqesha të rrija ngrohtë. E kisha mendjen tek çfarë po ndodhte,” tha Sanders ku u pyet për foton që qarkulloi kudo. Me ose pa vetëdije, ai bëri të qeshin, por edhe të reflektojnë, njerëzit anembanë botës.
Shtuar më 24/01/2021, ora 18:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori