Pse Donald Lu nuk përmendi emra? Analisti tregon paktin e fshehtë
Deklarata e djeshme e ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, se 4 grupe kriminale dhe 20 familje kontrollojnë vendin, ka hapur një debat të madh.

Fakti që kjo deklaratë e kreut të delegacionit amerikan në vendin tonë është bërë në 20-vjetorin e shkollës së Magjistraturës, flet hapur për situatën në të cilët ndodhet sistemi i drejtësisë në vend.

Në rubrikën “Opinion” në “News24”, analisti Andi Bushati thotë se kjo deklaratë e ambasadorit Lu, dhe ajo e bërë disa ditë më parë gjatë një bashkëbisedimi me nxënësit në Rrëshen, flet qartë për situatën në vend.

Sipas tij, këto deklarata janë bërë këto ditë, me qëllim për ta vënë përballë përgjegjësisë qeverinë shqiptare.

Analisti Bushati thotë se përpos këtyre deklaratave të forta, duket sikur në Shqipëri, mes aktorëve “ka një pakt të heshtur për të mos folur me emra për këta persona”.

“Lu është promotor i fushatës për dekriminalizimin në Shqipëri. Deklaratat e Lu janë të forta, por jemi mësuar tashmë.

Fakti që qeveria ka shfaqur një tentativë për të ndikuar mbi reformën në drejtësi, mund të ketë çuar ambasadorin drejt këtij rritje toni. Duhet të kujtojmë se edhe në fundjavën e shkuar, ambasadori Lu i bëri thirrje nxënësve, gjimnazistëve të Rrëshenit, që kur nuk ju pëlqen një qeveri, ju keni të drejtë ta rrëzoni, jo vetëm nëpërmjet votës, por ka edhe mënyra të tjera. Duket sikur Lu ka pakënaqësi për situatën politike në vend.

Fakti që ambasadori i thotë këto, tregon se do që ta vërë përballë përgjegjësisë qeverinë shqiptare. Institucionet e shtetit amerikan kanë qenë në dijeni të këtyre deklaratave që bëhet me kaq forcë sot. Fakti që po i artikulojnë sot, tregon, se duan në rastin më të mirë t’i bëjnë presion qeverisë shqiptare, dhe në rastin më të keq t’i tregojnë publikut se qeveria nuk po e bën detyrën, dhe na takon ne t’i artikulojmë këto gjëra”, u shpreh analisti Andi Bushati./BW/
Shtuar më 03/10/2017, ora 18:23

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori