PS voton për Kushtetutën e re, çfarë kërkon opozita parlamentare
Pas miratimit thuajse me unanimitet të plotë ditën e premte në Këshillin e Legjislacionit dhe në Komisionin e Ligjeve, nisma e 28 deputetëve të opozitës parlamentare diskutohet sot nen për nen dhe pritet të miratohet për t’ia kaluar më pas Parlamentit, për t’u votuar më 30 korrik, siç është thënë më herët nga përfaqësues të maxhorancës.

Kushtetuta do të ndryshojë në 2 nene, atë 64 dhe 68. Përmes ndryshimit të nenit 64, deputetët e opozitës parlamentare, të cilët aspirojnë të krijojnë një parti të re për të garuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare kërkojnë që të hapin listat dhe të rrisin pragun nga 2.5% që është aktualisht në 5%.

“1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurrim rajonal.

2. Numri i mandatevedeputetëve që i takon çdo rajoni zgjedhor përcaktohet në bazë të numrit të popullsisë së regjistruar në regjistrat shtetërorë. Në shpërndarjen e mandateve marrin pjesë partitë që në rang vendi kanë fituar jo më pak se pesë për qind të votave të vlefshme.

3. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, për caktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore, sipas përcaktimeve të ligjit për zgjedhjet”, propozojnë deputetët e opozitës parlamentare që të bëhet neni 64 i Kushtetutës.

Kërkesat e çuditshme të opozitës në Parlament nuk mbarojnë me aq. Ndonëse aspirojnë që të jenë një parti e re, në nismën e tyre ata kërkojnë që të hiqet mundësia e koalicioneve parazgjedhore.

“Paragrafi 1 i nenit 68 ndryshohet si vijon: 1. Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike dhe nga zgjedhësit. Nuk lejohen koalicionet parazgjedhore. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet”, propozohet nga opozita parlamentare. Ndërkohë, sipas ekspertëve zgjedhorë, nëse miratohen propozimet e tyre, partitë e vogla dhe të reja dënohen automatikisht duke mos i dhënë mundësi të përfaqësohen në parlament.

NDRYSHIMET

Maxhoranca ka shprehur mbështetjen e saj për propozimet e opozitës parlamentare. Ndërkohë, deputetë të Komisionit të Ligjeve, të cilët preferuan të mos identifikohen, thanë për gazetën “Panorama” se drafti i opozitës pritet që të pësojë ndryshime ditën e sotme në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve. Maxhoranca e konsideron pragun zgjedhor 5% të propozuar nga opozita mjaft të lart, ndaj do të kërkojë të bëhet 3%.

ISHTE

1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore.

2. Zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial.

3. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional, për caktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.

BËHET

1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurrim rajonal.

2. Numri i mandatevedeputetëve që i takon çdo rajoni zgjedhor përcaktohet në bazë të numrit të popullsisë së regjistruar në regjistrat shtetërorë. Në shpërndarjen e mandateve marrin pjesë partitë, që në rang vendi kanë fituar jo më pak se pesë për qind të votave të vlefshme.

3. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, për caktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore, sipas përcaktimeve të ligjit për zgjedhjet
Shtuar më 13/07/2020, ora 09:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori