Nations League nis sot me super përballjen Gjermani-Spanjë

Liga e Kombeve do të ngrejë mbrëmjen e sotme siparin e edicionit të dytë të saj dhe në fushë do të zbresin plot 20 skuadra, por vëmendja maksimale do të jetë në “Mercedes Benz Arena” të Stuttgartit, ku Gjermania do të presë Spanjën.

Dy prej superfuqive të futbollit europian do të përballen për herë të 24-t në histori, teksa bilanci aktual flet në favor të “pancerave” me 9 fitore, 7 barazime dhe 7 humbje, ndërsa ndeshja e fundit mes të dyjave ka qenë dy vite më parë në një miqësore që përfundoi me shifrat 1-1.

Trajneri gjerma Joakim Low ka lënë jashtë listës së të grumbulluarve një pjesë të mirë të futbollistëve të Bayernit, me arsyetimin se lanë nevojë për pushime, pasi i shkuan deri në fund aventurës europiane.

Në konferencën e ditës së djeshme Low konfirmoi portierin Kevin Trapp mes shtyllave dhe anësorin e Atalantës Robin Gosens nga minuta e parë, ndërsa pjesën tjetër të formacionit e la engimë, ndonëse mediat gjermane janë të bindura se fanella titullari do të veshin edhe Niklas Sule e Leroy Sane.

Nga ana tjetër Luis Enrique u shpreh mjaft i lumtur që do të rikthehet të drejtojë Spanjën në Ligën e Kombeve dhe paralajmëroi Gjermaninë se “Furia Roja” luan vetëm për fitore, pavarësisht kundërshtarit.

Kjo sfidë do të startojë në orën 20:45 dhe do të transmetohet në ekranin e Supersport 2, ndërsa po në të njëjtën orë, në Supersport 4, 5 dhe 6 do të transmetohen përkatësisht takimet Ukrainë-Zvicër, Rusi-Serbi dhe Slloveni-Greqi.


Shtuar 3.09.2020 06:21