PS publikon fakte të tjera për privatizimin e ekspozitës
Eduart Shalsi
Partia Socialiste ka publikuar sot të tjera fakte korruptive që sipas saj është përfshirë ish ministri i ekonomisë Genc Ruli në privatizimin e ekspozitës "Shqipëria sot".

Në një konferencë për shtyp deputeti i PS-së Eduard Shalsi ka theksuar se Ruli nuk iu përgjigj pyetjeve të ngritura nga PS-ja pasi e ka të pamundur ta justifikojë këtë aferë prapa së cilës qëndrojnë njerëz pranë tij dhe kryeministrit Sali Berisha.

"Sot do të zbulojmë përpara jush vetëm një fakt domethënës të kësaj afere. Në 26 nëntor të vitit 2008 Sali Berisha dhe qeveria e tij kanë miratuar çmimet e trojeve që ndodhen në bashkitë e vendit, përfshirë këtu Bashkinë e Tiranës. Ky vendim për zonën ku ndodhet ish Ekspozita "Shqipëria Sot" ka përcaktuar një çmim prej 426 000 lekësh për metër katror. Por shikoni ç'ndodh, vetëm pak metra më tutje, në anën tjetër të Lanës po ky Sali Berishë në të njëjtën ditë me të njëjtin vendim, ka përcaktuar një çmim tjetër, prej 1 200 000 lekësh për metër katror, pra tre herë më të lartë" theskoi Shalsi.

Shalsi gjithashtu theksoi se pak metra më tutje nga kjo godinë çmimi për trojet është rritur sipas interesave të oborrit të pushtetit dhe jo sipas një logjike racionale tregu duke shtuar se këto çmime nuk janë në funksion të interesit publik, por thjesht e vetëm në funksion të interesave klienteliste e familjare të oborritSali Berishës.

Ai theksoi gjithashtu se në ditët në vijim PS-ja do të zbardhë elementë të tjerë të kësaj afere që përbën provën e radhës së kapjes së shtetit nga pushtetarët dhe familjarët e pushtetarëve.
Shtuar më 08/09/2010, ora 14:35

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori