PS do të votojë pro Gjykata Administrative
Komisioni parlamentar i Ligjeve nis sot diskutimin për një nga projekt/ligjet më të rëndësishme dhe më të përfolura prej vitesh, ai për Gjykatën Administrative.

Në Kuvend ka ardhur projekti i hartuar nga qeveria, projekt të cilin e kundërshtojnë socialistët. Sipas tyre, ky variant ka shumë probleme. Ndërkohë që në selinë e PS-së prej ditësh, deputetët e Komisionit të Ligjeve dhe vetë nënkryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, janë konsultuar me ekspertë të fushës, për të hartuar amendamentet që do të paraqiten në komision, gjatë kohës së diskutimit.

Relatori i këtij projektligji, deputeti i PS-së, Armando Subashi u shpreh në një intervistë televizive se "Projekti i ardhur nga qeveria ka probleme serioze. Jemi duke biseduar me grupe të ndryshme pune dhe padyshim, do të kemi edhe propozimet tona konkrete për përmirësimin e këtij ligji". Sipas tij, në këtë rast duhen dëgjuar gjyqtarët. Subashi pohon se "edhe për këtë projektligj padyshim që do të japim votën pro". Opozita kërkon që të ketë gjykatë të veçantë administrative dhe të mos jetë shtojcë e gjykatave aktuale të apelit. Ndërkohë, një rëndësi nga opozita i kushtohet edhe faktit të përcaktimit të kritereve të forta dhe të qarta për përzgjedhjen e gjyqtarëve. Për opozitën, zgjidhja e parë që duhet të japë ligji është thjeshtimi i procedurave gjyqësore.

Në projektligjin e qeverisë është parashikuar ngritja e 6 Gjykatave Administrative dhe një Apeli në Tiranë, ndërsa hallka e fundit e ankimimit mbetet Gjykata e Lartë. Pak ditë më parë, PS organizoi edhe një dëgjesë publike, me juristë, përfaqësues të shoqatave të ndryshme të avokatëve, biznesit, etj, prej të cilëve kërkon propozime. Sipas propozimeve të hedhura në tryezë, duhet që mbi 30% e gjyqtarëve që do të emërohen, të kenë profesion të parë specifik juridikun.

Ngritja e Gjykatave Administrative synon shqyrtimin në një kohë më të shkurtër të çështjeve që kanë lidhje me biznesin, çështje të cilat flenë për periudha të gjata kohore në gjykatat e faktit, duke mos marrë zgjidhje. Ky ligj është një nga kushtet që i janë vendosur Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian. /albeu.com/
Shtuar më 12/03/2012, ora 10:06

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori