Protesta vazhdon, William Walker prezent
Mbi urën në Merdarë, është parë prezenca e ish-shefit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili ka deklaruar se ajo çka ka ndodhur nuk është e drejtë, ndërsa qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të protestojnë me qetësinë që po e dëshmojnë. Policia e Kosovës ka thënë se kësaj radhe nuk do të ketë afat qëndrimi në rrugë derisa protestuesit të qëndrojnë të qetë.

Në Merdarë protestuesit kanë gjuajtur policinë me topa bore, ndërsa organizatorët e Vetëvendosjes u kanë bërë apel atyre që të mos e bëjnë më një gjë të tillë.

Sekretari i VV, Dardan Mulliqaj ka deklaruar se Policia e Kosovës po e pengon një numër të madh të qytetarëve që ti bashkangjiten protestës te Dheu i Bardhë. Ata nga një distancë e konsiderueshme detyrohen të lëvizin vetëm në këmbë.

Policët e Kosovës nuk mbajnë numrat identifikues të tyre, te Dheu i Bardhë dhe Merdare.

"AGPK" i bënë thirrje policisë të ketë kujdes ndaj gazetarëve. Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës me shqetësim ka marrë paralajmërimet e Policisë së Kosovës për mënyrën se si duhet të sillen gazetarët gjatë punës së tyre. Gazetarët, kameramanët, fotoreporterët dhe të gjithë përfaqësuesit e tjerë të mediave gjenden në Merdare dhe tek Dheu i Bardhë për të informuar opinionin me atë se çfarë po ndodh.

Policia nuk mund t`u caktoj lokacion gazetarëve dhe t`ua pamundësojë atyre lëvizjen në hapësirën ku zhvillohet ngjarja. Është e papranueshme që policia të kërcënojë me një komunikatë se lëvizja e gazetarëve mund të jetë vepër e kundërligjshme.

Gazetarët duhet të jenë aty ku zhvillohet ngjarja dhe policia nuk mund t`ua ndaloj një gjë të tillë. AGPK i bënë thirrje Policisë së Kosovës që të mos pengojë gazetarët në punën e tyre dhe të mos ndodh që gazetarët të jenë cak i sulmeve të Policisë. Ky reagim erdhi pas apelit të Policisë që gazetarët të qëndrojnë në një vend të përcaktuar nga ana e Policisë dhe nëse ata lëvizin në hapsira të tjera, Policia nuk mban përgjegjësi.
Shtuar më 22/01/2012, ora 14:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori