PROPOZIMI/ KE të kushtëzojë integrimin me zbatimin e Reformës në Drejtësi
Komisioneri Johannes Hahn, pak minuta më parë ka bërë publik progres-raportin për Shqipërinë, ku ashtu siç ishte paralajmëruar, Komisioni rekomandon hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Raporti vlerëson se Shqipëria ka bërë progres të qëndrueshëm në pesë prioritetet e vendosura nga BE.

Njihet lufta kundër korrupsionit, por kërkohen më shumë përpjekje në këtë drejtim. Po ashtu lufta kundër drogës duhet të jetë më e thellë.

"Hapja e negociatave për anëtarësim në BE do të varet nga zbatimi i Reformës në Drejtësi". Ky është propozimi që Komisioni Europian do ti bëjë Këshillit të Ministrave të BE-­së në mbledhjen e muajit dhjetor. "Shqipëria ka vazhduar të bëjë progres të qëndrueshëm drejt përmbushjes së 5 prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave të pranimit.

Amendamente thelbësore kushtetuese u miratuan unanimisht në
korrik 2016, duke nisur një reformë të plotë dhe gjithëpërfshirëse të sistemit gjyqësor. Ky proces do të përfshijë një rivlerësim në thellësi të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Reforma e administratës publike ka vazhduar të zbatohet në mënyrë
konsistente. Puna drejt arritjes së një rekordi ( rezultatit) të bindshëm të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka vazhduar.

Të drejtat themelore vazhdojnë të jenë gjërësisht të respektuara në vend. Nën dritën e progresit të lartpërmendur në përmbushjen e prioriteteve kyçe, për të cilat puna duhet vazhduar, dhe në varësi të progresit të besueshëm dhe të prekshëm me reformën në drejtësi, në veçanti rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetting) Komisioni rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë. /albeu.com/


Shtuar më 09/11/2016, ora 11:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori