Propozimi i opozitës për Kodin Zgjedhor, reagon Meta
Kreu i shtetit Iilir Meta, ka reaguar pas propozimit të Partisë Demokratike përsa i përket ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Meta i bën apel palëve politike se është koha për reflektim. Sipas tij, çdo akt i njëanshëm që përmbys Marrëveshjen e 5 Qershorit do të ishte një atentat dhe provokim i patolerueshëm dhe i paamnistueshëm ndaj rendit kushtetues.

Me anë të një shkrimi në facebook Meta shprehet:

“Përshëndes zyrtarizimin e propozimeve të Opozitës së Bashkuar në Këshillin Politik dje.

Opozita është e vendosur për të ndërtuar konsensus në të kundërt të Rilindjes, që kërkon me insistim konfliktin, shtrembërimin e zgjedhjeve dhe asgjësimin e Këshillit Politik si instrument vendimarrës konsensual.

Drafti i paraqitur nga Opozita realizon hapjen e listave 100% dhe respektimin e plotë të barazisë gjinore, përkundrejt mashtrimit dhe mbylljes 100% të listave nga Rilindja.

Drafti i opozitës respekton konsensusin e arritur dhe Marrëveshjen e 5 Qershorit.

Drafti i Opozitës kërkon opinionin e ODIHR për çështjet që nuk ka dakordësi, si një palë e paanshme dhe si vëzhguesit zyrtarë të zgjedhjeve.

Opozita ka ndërmarrë çdo hap, që çon përpara procesin e integrimit europian të Shqipërisë ku reforma zgjedhore, zbatimi i saj dhe hetimi i krimit elektoral janë kushtet kyç që përcaktojnë hapjen e negociatave për anëtarësim.

Çdo akt i njëanshëm që përmbys Marrëveshjen e 5 Qershorit do të ishte një atentat dhe provokim i patolerueshëm dhe i paamnistueshëm ndaj rendit kushtetues e demokratik dhe së ardhmes evropiane të vendit.

Koha për reflektim!”, shkruan Meta në Facebook
Shtuar më 28/09/2020, ora 13:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori