Pronari rreh kamarieren në mes të rrugës se donte të linte punën
Një 28 vjecar është arrestuar nga Policia në Fier pasi ka rrahur kamarieren e lokalit të tij.

Pronari i lokalit Ervin Muratit dhunoi kamarieren 35 vjeçe, pas kërkesës së punonjëses së lokalit në pronësi të tij për t’u larguar nga puna.

Nisur nga pakënaqësia që kishte për kushtet e punës, N.Sh., 35 vjeçe, e cila prej kohësh punonte si kameriere në lokalin që ndodhet në rrugën “Ramiz Aranitasi”, vajza i kishte bërë të ditur pronarit se do ta linte punën. Por, kjo ka bërë që mes saj dhe pronarit të nisë një debat, ku 28-vjeçari Murati ka ngulur këmbë për moslargimin e saj duke i ushtruar dhe presion psikologjik.

Pavarësisht kësaj, 35-vjeçarja është shprehur e vendosur për vendimin e saj duke i bërë të qartë se, do të ishte dita e fundit në punë. Në momentin që kamerierja ka dalë në derën e lokalit për t’u larguar nga vendi i punës, pronari e ka ndjekur nga pas duke i kërkuar llogari se nuk mund ta braktiste punën në këtë mënyrë dhe aty mes tyre ka nisur një konflikt fizik.

Gjatë kohës që Murati po ushtronte dhunë fizike mbi kamerieren, një patrullë policie ka parë nga larg atë çfarë po ndodhte dhe ka ndërhyrë duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. Gjatë ndë- rhyrjes nga punonjësit e Policisë për të parandaluar dhunën ndaj kamerieres, Ervin Murati ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e rendit duke i goditur ata.

“Patrulla e Policisë parandalon dhunën që pronari i një lokali po ushtronte ndaj punonjëses së tij. Arrestohet në flagrancë autori i dyshuar. Gjatë shoqërimit, autori ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, duke i goditur ata”, bën të ditur Policia.

Pas prangosjes, policia e ka referuar çështjen në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “kundërshtimi me dhunë i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”. I riu nuk do të ndiqet penalisht për dhunë ndaj vajzës, edhe pse u kap në flagrancë, për shkak se kjo e fundit nuk ka pranuar në polici që të bëjë kallëzim. m.r

Dëshmia e kamarieres:

Gjatë marrjes në pyetje, 28-vjeçari i arrestuar ka deklaruar se gjithçka ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër. “U nxeha dhe nuk e kontrollova dot situatën”, është shprehur Murati. Nga ana tjetër, 35-vjeçarja ka treguar se e gjithë historia kishte nisur pasi kishte vendosur për t’u larguar nga puna. “Nuk isha e kënaqur me kushtet e punës, ndaj edhe i thashë se nuk do të punoja më, por pronari nuk e pranonte një vendim të tillë. Nuk më linte dhe në momentin që dola te dera, nisi të më qëllonte”, ka thënë N.Sh.
Shtuar më 13/10/2017, ora 19:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori