Prokuroria italiane merr vendimin për shqiptarin që vrau gruan
Burgim të përjetshëm. Kjo ishte kërkesa fillestare e prokurorisë italiane për Xhevdet Mehmetin, shqiptarin që vrau gruan e tij në Maj të 2018-s në Piacenza.

Por për shkak se i pandehuri zgjodhi gjykim të shkurtuar, dënimi pritet të zbresë në 30 vjet.

57-vjeçari akuzohet për dhunë në familje dhe për vrasje me paramendim.

Më 27 Maj, ai vrau bashkëshorten e tij, 52-vjeçaren Elca Tereziu.

E gjithë skena e tmerrit u pa nga djali i vogël i tyre, atëherë vetëm 17 vjeç.

Në seancën e së enjtes, prokurori Antonio Colonna kërkoi dënimin maksimal për Mehmetin.

Sipas tij mes çiftit kishte pasur gjithnjë konflikte dhe kështu kishte ndodhur edhe më 27 Maj.

Djali i tyre ka dëgjuar të bërtitura. Sipas akuzës, Mehmeti donte ta vriste 52-vjeçaren.

Ai pas sherrit mori një thikë kuzhine dhe e plagosi fillimisht të shoqen.

Në këtë moment, ajo reagon dhe ia merr thikën, por më pas Mehmeti e ka goditur brutalisht edhe disa herë me një thikë tjetër duke e vrarë. Gjithsej viktima kishte 4 plagë.

Megjithatë pala mbrojtëse mohoi të gjitha akuzat. Sipas tyre, nëse Elca Tereziu nuk do t’ia merrte thikën nga dora Mehmetit, atëherë ai nuk do ta vriste, shkruan abcnews.

Ndërkohë fëmijët e çiftit tashmë 18 vjeç dhe 20 vjeç janë ndihmuar nga Shërbimet Sociale italiane.

Seanca ku do të jepet vendimi për Xhevdet Mehmetin pritet të jepet në fund të Prillit.
Shtuar më 22/02/2019, ora 13:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori