Prokuroria: 4 vjet burg për Agim Selitën
Prokuroria e Matit ka kërkuar nga gjykata dënimin me 4 vite burg të ish-kryetarit të komunës Lis, Agim Selita.

Ky i fundit akuzohet për shpërdorim detyre.

Në dosjen e bërë publike nga organi i akuzës thuhet se Selita në bashkëpunim me 6 zyrtarë të tjerë ka realizuar prokurim publik për blerje boje kur komuna nuk kishte printer.

dëmi i shkaktuar prej tij dhe zyrtarëve të tjerë arrin në 10 milion lekë të reja.

Njoftimi i Prokurorisë Mat

Prokuroria e Matit kërkon dënimin me 18 vjet burgim për 7 persona, të cilët në momentin e kryerjes së veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Fallsifikimit të dokumentave” kanë qenë në funksionin e kryetarit dhe zyrtarëve të komunës Lis, në Burrel.

Kryetari i komunës Lis, i cili ka mbajtur këtë funksion deri në shkrirjen e komunave, Agim Selita, si edhe 6 persona të tjerë, akuzohen nga Prokuroria e Matit se, me veprimet e tyre, i kanë sjellë shtetit një dëm në vlerën e rreth 10 milionë lekëve të reja.

Nga hetimi i Prokurorisë, i cili ka nisur pas kallëzimit të bërë nga ana e disa shtetasve, kanë rezultuar, në mënyrë të përmbledhur, këto lloj shkeljesh:

Janë kryer pagesa për shërbime publike, të cilat janë tërësisht fiktive dhe nuk ka asnjë punë të kryer

Janë kryer pagesa për shërbime të brendshme të komunës, të cilat janë tërësisht fiktive dhe nuk është marrë asnjë shërbim për paratë e shpenzuara

Është kryer një procedurë prokurimi publik për blerjen e rreth 160 tonerave bojë printeri, ndërkohë që komuna nuk ka printera

I është shitur makina e komunës tip Land Rover, me vlerë 1.8 milionë lekë kryetarit të komunës, i cili e ka blerë me vlerë 125 mijë lekë (pra, rreth 1.6 milion lekë më lirë se sa vlera reale).

Në përfundim të gjykimit, për shkeljet e konstatuara si më sipër, Prokuroria e Matit kërkon dënimin për të pandehurit, si më poshtë;

Agim Selita, Kryetar i Komunës Lis, Mat, të dënohet me 4 vjet burgim dhe 5 vjet heqje të të drejtës për ushtrim të funksioneve publike

Dritan Farrici, zyrtar i komunës, të dënohet me 5 vjet burgim dhe 5 vjet heqje të të drejtës për ushtrim të funksioneve publike

Liljana Aliaj, zyrtare e komunës, të dënohet me 2 vjet e 6 burgim dhe 5 vjet heqje të të drejtës për ushtrim të funksioneve publike

Dashamir Panxha, zyrtar i komunës, të dënohet me 2 vjet burgim dhe 5 vjet heqje të të drejtës për ushtrim të funksioneve publike

Hismet Barhani, zyrtar i komunës, të dënohet me 2 vjet burgim dhe 5 vjet heqje të të drejtës për ushtrim të funksioneve publike

Qemal Marqeshi, zyrtar i komunës, të dënohet me 2 vjet burgim dhe 5 vjet heqje të të drejtës për ushtrim të funksioneve publike

Ismail Brahimetaj, zyrtar i komunës, të dënohet me 1 vit burgim. /Albeu.com/
Shtuar më 14/05/2016, ora 18:39

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori