"Mafia shqiptare, mafia e së ardhmes në Evropë"
Mafia shqiptarë është mafia e së ardhmes jo vetëm në Zvicër por në të gjithë Europën"! Korrupsioni në Shqipëri e favorizon!

Prokurori i Antiamfias Italiane Nicola Gratteri në një intervistë për mediat zviceranë ka folur për përhapjen dhe aktivitetin e fortë kriminal të mafies kalabreze Ndrangheta në Zvicër ku klanet mafioze kanë krijuar selitë financiare për trafikun e drogës dhe armëve, vendi ku riciklohen të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal si dhe ku gjejnë vend strehim mjaft mafiozë e kriminelë të shpallur në kërkim nga autoritetet e drejtësisë.

Por prokurori i Antimafias jep njëherësh alarmin dhe rekomandon autoritetet zvicerane për rrezikun e mafies shqiptare si në Zvicër ashtu dhe në të gjithë Europën duke nënvizuar korrupsionin e fortë që ekziston në Shqipëri e që ndikon jo vetëm në sistemin gjyqësorë në vend si dhe në forcën kriminale të mafies shqiptare në tregun e kokainës në Europë.

"Unë parashikoj -shprehet prokurori i Antimafias Nicola Gratteri- se në Konfederatën zvicerane ashtu si dhe në Europë, mafia e së ardhmes do të jetë mafia shqiptare".

"Në Shqipëri, thotë ai , ka një korrupsion të fortë, ekzistojnë organizata kriminale të fuqishme që askush nuk i lufton, e që falë parave ndikojnë dhe në sistemin gjyqësor e imponohen të mbizotërojnë në tregun e kokainës në Evropë. Sot organizata kriminale shqiptare janë shumë të pranishme në Holandë, por dhe në Amerikën e Jugut ashtu si dhe mafia kalabreze Ndrangheta ."

Për herë të parë alarmin mediatik se "mafias shqiptarë do të jetë mafia e së ardhmes", prokurori i antimafias së Katanzaros Nicola Gratteri e ka bërë në mikrofonin e RTV Ora në Romë, rreth një vit më parë, ku është shprehur dhe për lidhjet e forta mes mafies shqiptare dhe mafies kalabreze Ndrangheta si dhe dyshimin se mafiozë italianë kanë gjetur vendstrehim në Shqipëri për t'iu shpëtuar arrestimit nga autoritetet italiane.

Në intervistën për mediat zvicerane, Prokurori Italian deklaron se grupet kriminale mafioze kanë depozituar në bankat zvicerane miliona euro të përfituara nga trafiku i drogës, si dhe riciklojnë paratë e pista për investimet në sektorin imobiliarë, si dhe një pjesë e përdorin për trafikun e armëve.

80% e kokainës që mbërrin në Europë është në duart e ndranghetistëve.

"Parate e përfituara nga ky trafik, thotë prokurori italian, nuk mbërrijnë as në Kalabri e as në Amerikën e Jugut, pasi kartelat kolumbiane të drogës kërkojnë të paguhen ën Europë ku është më e leverdishme për ta. Kështu që Europa e Zvicra shndërrohen në një supermerkat të madh ku mund të blihet gjithçka që vihet në dispozicion."

Prokurori Gratteri rrëfen se hetimet italiane kanë zbardhur se prej fundit të viteve 80 ekzistojnë sinjalizime të ekzistencës së mafias kalabreze në Zvicër, por i pari operacion antimafia që vërtetoi dyshimet e tyre u ekzekutua më 1994 ku falë rrëfimit të një mafiozi, i cili vendosi të bashkëpunojë me policinë, u gjetën rreth 2 milionë dollarë të fshehura në bidonë qumështi në një fermë zvicerane e për llogari të bosit Toto Riina.

Po në të njëjtin vit u sekuestruan valixhe të mbushura me kokainë që transportoheshin nga Kolumbia në Itali, duke tranzituar në aeroportin zviceran të Luganos.

Për të luftuar përhapjen e aktivitetit kriminal të mafies në Zvicër, autoritetet kanë hartuar një plan special kombëtar antimafia i cili është bërë operativ vetëm pak muaj më parë. Dëbime nga territori i personave të lidhur me krimin, kurse antiriciklimi në banka e një shkëmbimi i rregullt i informacionit mes Konfederatave e kantoneve zvicerane janë baza e këtij plani kombëtar.

"I gjithë fenomeni mafioz është nënvlerësuar deri më sot në Zvicër, deklaron Shefja e Lartë e Drejtorisë së Policisë Nicoletta Della Valle. Masat e ndërmarra me planin e ri kanë të bëjnë më shumë me parandalimin dhe bashkëpunimin në luftën kundër aktivitetit mafioz në Zvicër."/Ora News.tv/
Shtuar më 02/10/2019, ora 15:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori