Morën me qira dhe shitën “Audin Q8”, arrestohen dy korçarët

Dy persona janë arrestuar pasi morën një makinë “Audi Q8” me qira dhe më pas e shitën. Polica bën me dije se në kuadër të operacionit “Location” u arrestuan shtetasit K. H., 23 vjeç dhe P. T., 38 vjeç, të dy banues në Korçë.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit F. B. dhe J. C.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas kanë marrë me qira në Kosovë, një automjet “Audi Q8” dhe më pas ia kanë shitur shtetasit J. C., i cili e ka çuar automjetin, në një servis në Vaqarr, për heqjen e pajisjes GPS.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti i marrë më qira (Audi Q8) dhe një automjet tjetër që dyshohet se është trafikuar nga këta shtetas.

Vijon puna për dokumentimin e rasteve të tjera të trafikimit të mjeteve, që mund të jetë kryer nga këta shtetas, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./Albeu.com/