Uzuni: Njerëz pas tastierave më lënduan! Kush s’do t’i shënojë Anglisë?!

Myrto Uzuni shënoi kundër Spanjës në miqësore dhe sigurisht për të ishte një ndjenjë e mirë, sidomos tani që luan në LaLiga me skuadrën e Granada.

Beratasi, në një intervistë të dhënë për Panorama-Sport, ka deklaruar se kishte marrë komplimente, madje presidentja ia kishte ndjellë më para golin.

“Ne kemi një grup në WhatsApp”, të gjithë më komplimentuan. Në fakt, presidentja e klubit pas ndeshjes së fundit në kampionat kundër Alaves më tha: ‘Ke për ta thyer tersin me Kombëtaren. Do t’i shënosh Spanjës’.

U befasova në fillim, por e pashë që e kishte seriozisht atë që po më thoshte. Unë e dija që do t’i kisha rastet e mia, edhe pse nuk e nisa titullar”, shprehet Uzuni, i cili ka marrë edhe kritika pas ndeshjeve të mëparshme për disa raste flagrante.

“Ndonjëherë i përjetoj më shumë sesa duhet ndeshjet me Kombëtaren dhe mbase ndonjëherë edhe gaboj. Gjithsesi është e paimagjinueshme të mendosh që më mungon impenjimi apo serioziteti. Këtë nuk e toleroj dot dhe shpeshherë njerëz që fshihen pas tastierës në rrjetet sociale më kanë mërzitur dhe më kanë lënduar me komente nga më të ulëtat.

Kush është ai lojtar që nuk do të shënojë kundër Anglisë në ‘Wembley’ apo kundër Hungarisë, vendit ku unë luaja pak kohë më parë?! Mirëpo, ja që ndonjëherë nuk të ecën. Nuk mund të kryqëzohesh kështu”, ka thënë Uzuni mes të tjerash.


Shtuar 31.03.2022 11:41