Policia: Shullazi lëvizte me një makinë shtetërore
Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani, të cilët janë arrestuar gjatë mbrëmjes së të martes lëviznin në kryeqytet me një makinë të Kuvendit të Shqipërisë.

Sipas burimeve të Policisë së Tiranës, pas kontrollit të imtësishëm të bërë nga këto forca kanë konstatuar se makina me të cilën lëviznin dy të arrestuarit ishte një makinë tip Benz 240 me targa Tr 2703L, e cila është pronë e Kuvendit të Shqipërisë.

Policia e kryeqytetit i’u ka sekuestruar këtyre personave edhe çelësat e dy makinave të tjera ku njëra prej tyre rezulton të jetë e blinduar.

Pas marrjes së informacionit se Shullazi dhe shoku i tij po lëviznin në kryeqytet të armatosur ata janë vënë në ndjekkje për ndalimin e tyre. Në momentin që kanë vënë re praninë e policisë, ata janë larguar në këmbë drejt rrugës Stavri Themeli, ku dhe janë ndaluar nga dy makina të patrullës.

Në momentin e arrestimit bëhet me dije se Shullazi dhe Dani nuk kanë bërë rezistencë. Ndërkaq mësohet se personi i tretë, emri i të cilit nuk bëhet me dije dhe që dispononte një armë automatike është larguar duke i shpëtuar policisë.

Ndërkohë që gjatë ditës së enjte në Gjykatën e Tiranës do të jepet dhe masa e sigurisë për dy personat. /albeu.com/
Shtuar më 09/11/2011, ora 18:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori