Policia italiane sekuestron 330 kg "të bardhë" nga Brazili, arrestohet shqiptari (VIDEO)
Policia italiane ka sekuestruar rreth 330 kg kokainë që vinte nga Brazili. Siç raportojnë mediat italiane, në pranga u vunë 4 persona, mes tyre dhe një shqiptar. Të gjithë akuzohen për trafik ndërkombëtar droge.

Droga mbërriti në Spezia e fshehur midis disa pllakave të granitit të transportuara në një kontenier deri në port. Nga aty, autoritet italiane ndoqën rrugëtimin e ngarkesës me kokainë për në Massa Carrara.

Operacioni, i koduar “Samba 2020”, lindi pasi “Guardia di Finanza” e Spezia-s, kontrolloi kontejnerin. Raportohet se falë analizave përmes pajisjeve skanuese, efektivët kanë zbuluar disa anomali dhe së bashku me doganierët, kanë hapur kontenierin. Brenda tij, u gjet sasia e drogës në 300 paketime, me një vlerë që përllogaritet rreth 100 milion euro.

Për të identifikuar porositësit, ngarkesa u mbyll dhe u ndoq nga efektivët. Droga u transportua në një depo në Massa Carrara ku u arrestuan një italian, një kroat, një shqiptar dhe një brazilian ndërsa po përpiqeshin të rikuperonin ngarkesën. Identitetet e të arrestuarve nuk bëhen me dije nga raportimet e mediave italiane.
Shtuar më 13/01/2020, ora 13:27

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori