Policia e Kosovës dëbon Artemijen
Pëlqej
Policia e Kosovës ka shoqëruar jashtë një manastiri në komunën e Zubin Potokut ish peshkopin Artemije, i cili është larguar nga detyra nga autoritetet e Kishës Ortodokse Serbe.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, sqaron se operacioni i policisë për largimin nga manastiri është bërë me kërkesë të prokurorit të Mitrovicës dhe prokurorit përkatës të EULEX-it, vetëm pas thirrjes për ndihmë nga Kisha Ortodokse Serbe.

Sipas Hotit ndaj një prej mbështetësve të Artemijes, i cili ka bërë rezistencë ndaj kërkesës së policisë janë nisur procedurat ligjore për mos bindje ndaj autoriteteve policore dhe mosrespektim të autoriteteve në detyrë.

“Ndaj Artemijes është aplikuar vendimi për dëbim jashtë territorit të Kosovës. E gjitha kjo ka ngjarë rreth orës 4 të mëngjesit të sotëm, derisa Artermije rezulton të jetë përzënë nga Kosova përmes pikës kufitare në Zubin Potok në orën 5 të mëngjesit të sotëm”, tha Hoti.

Burimet e Kishës Serbe njoftojnë se Artemije dhe mbështetësit e tij do të përballen me drejtësinë në Serbi. Sipas KOS-it Artemije ka pasur mbështetjen e rreth 40 priftërinjve dhe rreth dhjetë qytetarëve.

Të njëjtat burime pohuan se nuk ka pasur shqiptarë në mesin e policëve të përfshirë në operacion, ashtu si nuk ka pasur as përfaqësues të EULEX-it.
Largimi i Artemijes nga Kisha Ortodokse Serbe ka të bëjë me ndarjet brenda vetë kësaj kishe. (rel)
Shtuar më 20/11/2010, ora 13:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori