Policia e Dubait konferencë shtypi për arrestimin e "kokës" shqiptare
Goditja e grupit të trafikantëve të drogës në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka trazuar ujrat mes Ekuadorit dhe Europës.

Në një konferencë të posaçme për shtyp, koloneli Saeed Al Qamzi, nga Departamenti i Personave në Kërkim në Policinë e Dubait, ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin atje të shqiptarit Denis Matoshi alias Eldi Dizdari.

Sipas tij, arrestimi i Eldi Dizdarit u bë në kuadër të operacionit “Los Blancos” pas shkëmbimit të informacionit me autoritetet italiane.

“Në bashkëpunim me liderë të tjerë të bandave shqiptare, Dizdari mundësoi transportin dhe shpërndarjen e qindra tonëve kokainë në portet e Europës“, njoftoi kolonel Al Qamzi.

Gjatë operacionit u arrestuan 5 persona në Shqipëri si edhe i është komunikuar akuza e “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike” edhe 5 shqiptarëve të tjerë.

Ata janë:
Lek Colaj, 40 vjeç, i cili u arrestua në Rumani;

Gjergj Lesaj, 38 vjeç, i cili u arrestua ne Holandë;

Sokol Aliko (Memetaj), 36 vjeç, i cili u arrestua në Spanjë;

Robert Varga, 44 vjeç, i cili u arrestua në Hungari.

Gjithashtu iu komunikua masa e sigurisë “Arrest në burg” shtetasit Altin Velsula (Hoxha), 36 vjeç, i cili ndodhet në burg në Norvegji.

Lexo edhe: Mbyllën bizneset dhe ikën në Dubai, si u arrestua për kokainë burri i miss-it shqiptar Suada Sherifi
Gazetari Artan Hoxha bën me dije për abcneës.al se referuar hetimeve të deritanishme, grupi funksionte me detyra të ndara.

Sipas hetimeve, Dritan Rexhepi siguronte lëndën narkotike nga Ekuadori, e cila sillej në rrugë ilegale në Europë dhe këtu shpërndahej më pas nga grupi i Eldi Dizdarit, i cili njihet ndryshe edhe si Denis Matoshi.

Raportohet se nga operacioni “Los Blancos” janë sekuestruar 5 milion euro si edhe 4 ton kokainë, duke përbërë kështu një ndër goditjet më të forta ndaj grupeve kriminale shqiptare të trafikut të lëndëve narkotike.
Shtuar më 17/09/2020, ora 14:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori