Një pushuese VIP në Vlorë

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka mbërritur në Vlorë bashkë me familjen e saj pasditen e djeshme. Nën masa të rrepta sigurie në portin e Vlorës, Meloni është pritur nga vetë kryeministri Rama, si dhe punonjës të konsullatës italiane, për ta shoqëruar më pas në vilën qeveritare në Vlorë, aty ku ishte parashikuar një vizitë.

Mësohet se Meloni ndërpreu pushimet e saj në një fermë në zonën e Puglias dhe u nis nga Brindizi me një traget linje drejt Vlorës bashkë me bashkëshortin Andrea Giambruno, vajzën Ginevra dhe motrën e saj Arianna e bashkëshortin Francesco Lollobrigida.

Mediat italiane thonë se kryeministrja ka pranuar ftesën e kryeministrit Rama për të vizituar Shqipërinë, ndërsa pritet të qëndrojë 2 deri në tre ditë në Vlorë.

Ftesa e Ramës për Melonin ka qënë publike në interevistat e fundit dhënë për mediat italiane, ku fokusi ishte tek bumi i turistëve italianë drejt vendit tonë. Rama e ka quajtur Melonin ‘motra e vogël e Shqipërisë’.


Shtuar 15.08.2023 13:01