“Skema me tre mbrojtës e Rejës nuk na përshtatej”, Debatik Curri: Pres gjashtë pikë, ja pse besoj te kualifikimi Jun 17, 2023 | 9:52

E mbani mend Debatik Currin? Dikur i shënonte Holandës me fanellën e Kombëtares shqiptare, ndërsa sot është trajner te Prishtina. Ish-mbrojtësi kuqezi, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka folur në prag të ndeshjeve të Shqipërisë, duke prekur disa tema për Kombëtaren, karrierën e tij si trajner dhe natyrisht përfaqësuesen e Kosovës.

Prej disa muajsh jeni trajner i Prishtinës dhe e mbyllët sezonin me trofeun e Kupës. Cila është ndjesia tani që drejtoni skuadrën?

Deri tani kam shkuar shumë mirë. Pas shkarkimit të trajnerit Ismet Munishi, klubi më dha këtë mundësi për të qenë trajner i parë dhe mendoj se ky sezon u mbyll me sukses, duke fituar edhe Kupën e Kosovës. Besoj se nuk kishte më mirë se kaq për ta nisur këtë rol. Shpresoj që të vazhdoj me këtë ritëm dhe me suksese në të ardhmen.

Një sezon, i cili u mbyll me fitimin e Kupës së Kosovës…

Si trajner nuk e prisja që të filloja kaq mirë, por besoj se me punë dhe përkushtim ia arrita që të fitoj Kupën dhe të eliminoj shumë kundërshtarë të fortë si Ballkani, Dukagjini dhe Gjilani, të cilat i kemi kaluar gjatë rrugës dhe me meritë kemi fituar.

Të flasim pak për Kombëtaren shqiptare, i keni ndjekur ndeshjet e fundit, si ju janë dukur?

Kombëtarja ka pasur ngritje. Ka një grup me lojtarë cilësorë që po e tregojnë edhe me klubet e tyre. Besoj se do të ketë shumë suksese në këto eliminatore, sepse besoj se Shqipëria ka një potencial të madh.


Shtuar 17.06.2023 10:12