Kujdes në rrugë, shtohen aksidentet! Makinat po marrin në qafë këmbësorët

Aksidentet rrugore në vend janë shtuar ndjeshëm ditët e fundit. Vapa si duket u ka rënë shoferëve në kokë, sa nuk dinë të frenojnë në viza të bardha edhe pse mund të jenë këmbësorët duke kaluar.

Së fundmi, në rrugën “Dritan Hoxha” ditën e djeshme një drejtues makine ka përplasur dy këmbësore. Pas ngjarjes policia e ka arrestuar.

Gjithashtu në pranga ka rënë dhe drejtusi i makinës që përplasi policen rrugore në Vorë, Arta Shurbi.

” G. R., 47 vjeç, dhe Ç. E., 38 vjeç, të dy banues në Tiranë, pasi u kapën duke drejtuar automjetet përkatëse në gjendje të dehur; S. B., 63 vjeç, banues në Fier, pasi duke drejtuar automjetin e tij, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin J. S., 29 vjeç. Si pasojë e përplasjes së mjeteve është dëmtuar punonjësja e Policisë, inspektore A. Sh., e cila ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën; K. Gj., 32 vjeç, banues në Bulqizë, pasi në rrugën “Dritan Hoxha” duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar shtetaset L. B., dhe V. Q., të cilat si pasojë janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve; B. F., 46 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi në rrugën “Enriko Telini”, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar shtetasin K. P., 39 vjeç, i cili si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve”, njofton policia sot.

Sipas të dhënave të INSTAT,  në muajin qershor 2023 numërohen 101 aksidente rrugore nga 98 të ndodhura në muajin qershor 2022. Numri i aksidenteve rrugore është rritur me 3,1 %./albeu.com


Shtuar 11.08.2023 11:32