Vdekja e 32-vjeçarit, Softa: Deklarata e policisë dhe prokurorisë ngrenë dyshime të forta për manipulim të ngjarjes

Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Fatjon Softa, në një lidhje me “Radari Informativ” në Abc të gazetares Juli Xhokaxhi, ka folur për ngjarjen e rëndë ku 32-vjeçari Lear Kurti humbi jetën në ambientet e Komisariatit numër 3 në Tiranë.

Softa tha se policia por edhe prokuroria dhanë disa variante të ndryshme, dhe kjo bëri që të ngrihen dyshime të forta për manipulim të kësaj ngjarjeje.

Ai theksoi se në asnjë moment pa folur më parë ekspertiza dhe autopsia mjeko-ligjore policia dhe prokuroria nuk duhet të kishin dalë në deklarata.

Pjesë nga biseda:

Xhokaxhi: Ishte bindëse AMP dhe Prokuroria që cituan ekspertizën mjekoligjore?

Softa: Së pari fillojmë që nga fillimi i kronologjisë ku policia që citonte për ngjarjen që personi kishte sëmundje shoqëruese, pastaj doli se kishte një qeskë që ka qenë mbidozë, një deklaratë ishte se ai ka qenë në spital dhe humbi jetën në spital, më pas thanë që u çua i vdekur në spital. Këto janë momente delikate. Të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në komisariate kanë lënë gjurmë, jo vetëm tek besueshmëria e publikut ndaj policisë, por edhe tek vetë forcat e policë, siç ishte ngjarja e Kamzës, ngjarje e Rashës, Kavajës, Korçës. Të gjithë këto vënë një pikëpyetje mbi elementët që punojnë në polici. Të gjitha rastet sjellin domosdoshmërinë që të punohet fort në polici për sjelljen e kontrolluar të efektivëve.

Xhokaxhi: Fakti që ekspertiza tho0të që nuk ka shenja dhune, shmang tërësisht ushtrimin e dhunës, ndërkohë që familjarët kanë qenë të painformuar gjatë gjithë kësaj kohe?

Softa: Familjarët kanë të drejtën e tyre sepse është fëmija i tyre, dhe kjo është normale, dhe janë të detyruar mos jenë hermetik me fëmijën e tyre dhe të zbulojnë të vërtetën. Por ka një deklaratë që është kjo që ju sapo cituat lidhur me këtë ekspertizë. Nuk ka dhunë janë deklarata të dhënë nga Prokuroria dhe Policia, nuk e di nëse familjarët kanë pasur një informacion më shumë. Kjo është një situatë që kërkon të zbardhet. Dikur forcat e policisë u pajisën me kamera trupore, nuk e di pse mungojnë kamerat trupore pasi do kishim më shumë qartësi. Çfarë ndodhi në komisariat duhen parë kamerat e brendshme, për të parë si janë zbatuar procedurat. Nga të dhënat e para ishte se nuk ndaloi, pastaj doli se ishte njeri me precedent, por këto janë elementë që vijnë më pas.