"Po i ndjekim me vemendje luftëtarët që shkojnë në Siri e Irak"
Pëlqej
Maqedonia po ndjek me vëmendje dukuritë e ekstremizmit jo vetëm në vend, por edhe në rajon. Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska është shprehur se ka kontakte dhe shkëmbim informatash me Kosovën, ku u arrestua një grup i madh ish luftëtarësh në formacionet në Siri dhe Irak.

"Ne me Kosovën kemi firmosur marrëveshje për bashkëpunim policor në kuadër të së cilës këmbehet një sasi e caktuar të dhënash, por vazhdimisht ka hapësirë për bashkëpunim më të mirë dhe më intensiv. Sidomos kur bëhet fjalë për çështjet që janë një kërcënim serioz për sigurinë", tha Jankullovska.

Deri tani flitet për të paktën 4 shtetas të Maqedonisë që kanë rënë viktima në konfliktit në Siri, e që luftonin në anën e kryengritësve. Nuk ka vlerësim zyrtar lidhur me numrin e saktë të shtetasve nga Maqedonia, me pjesëmarrjen konkrete në luftërat në Lindjen e Afërt dhe në Afrikën Veriore, dhe aktualisht, policia nuk dëshiron të ndajë informacione publike për këtë çështje.

"Kur bëhet fjalë për çështje që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare, sasia e informatave që mund të jepen për opinionin, është e kufizuar", vijoi ministrja e brendshme.

Sipas vlerësimeve jozyrtare, numri i vullnetarëve nga Bosnja, Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Kroacia dhe Bullgaria është rreth 600.

Ligjet e Maqedonisë nuk parashikojnë sanksione për pjesëmarrësit në luftërat e huaja ndonëse me ndryshimet e propozuara të Kodit Penal janë parashikuar dënime për rekrutimin e ushtarëve për ushtritë e huaja, dhe madje në kohëzgjatje prej 1 deri 5 vjet burg. /albeu.com/
Shtuar më 16/08/2014, ora 15:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori