Plumba dhe kallashnikovë, kur “Kamorra” përgjak Tiranën
Tre të vrarë në një atentat mafioz, mes tyre dhe një atentator. Dy të shënjestruarit për tu ekzekutuar u vranë nga njerëz të urdhëruar nga “Kamorra” italiane. Ky është bilanci tragjik i asaj ç’ ka ngjau të martën tek Stacioni i Trenit në Tiranë.

Mentor Lufi dhe Besnik Sulku, sipas mediave, kishin patur miqësi me njëri-tjetrin, e cila u kthye në një armiqësi, aq të madhe sa shkoi deri në ekzekutime dhe përfundoi në eleminimin fizik të dy personave të lartpërmendur.

E gjithë historia kishte nisur me një sasi droge të dyshuar të vjedhur nga ana e Mentor Lufit, plot 20 kg drogë që kapte një vlerë tepër të madhe monetare.
Pasi Lufi nuk e ka kthyer drogën tek grupi kamorrist, ky grup ka kërkuar ekzekutimin e tij me çdo kusht.

Pasi Kamorra ka kryer atentatin e parë dhe nuk ia ka arritur dot ta eleminojë, Lufi e ka ditur se nga kush është plagosur dhe përmes nipave ka marrë hak, duke i vrarë vëllanë në Hollandë Besnik Sulkut.

Shkurt, në ngjarje janë përfshirë njerëz (nuk ka prova për nipin e vogël të Mentor Lufit), të cilët kanë hyrë në një valle, nga e cila nuk mund të dilet, atë të klaneve mafioze.

Pa i hyrë në hollësi ngjarjes, me të cilën merret drejtësia dhe shpresa është që ti jipet një zgjidhje sa më e drejtë, gjë e rrallë për vendin tonë, por që në këtë rast do të duhej të ketë drejtësi.

Por, ajo ç’ka shqetëson më së shumti është fakti se si bandat përplasen në mënyrë krejt të hapur, në mes të ditës, sikur të luhej film, në një nga zonat ku ka më shumë lëvizje në kryeqytet.

Ajo ç’ka shqetëson është se si ka mundësi që njerëz, të cilëve iu është bërë atentat dhe që rrinë me roje për shkak se kanë frikën e një atentati, lihen kaq lehtë të lirë.

Se si ka mundësi që italiani, i cili kishte kaluar disa herë në Shqipëri dhe që kishte patur edhe të shkuar kriminale, hyn në vendin tonë, ashtu, si çdo qytetar.

Pyetja që ngrihet është se a ka njerëz, agjentë, policë apo tjetër lloj punonjësi shteti, që mund ti parandalojë të tilla skena kaq të frikshme në mes të Tiranëës?
Ajo që mund të thuhet, në kuadrin e dyshimit gjithsesi, është se një nga pistat mbetet ajo se policia apo organet përkatëse, në momentin që kanë parë se mund të ketë përplasje bandash, mund të kenë ecur me idenë “të vriten njerëzit e bandave me njëri-tjetrin”.

Kj ekziston si hipotezë e mundshme gjithsesi.

Problemi më i madh është ai se qytetari ka frikë të ecë i lirë në këtë vend, në këtë kryeqytet, ku mund të bëhet pa frikë atentat edhe në mes të ditës, edhe në një ditë kur Tirana ishte “blinduar” nga forcat e rendit, me plot 1.500 të tillë, që ruanin sigurinë, për shkak të vizitës së kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç.

Më e mira që mund të thuhet në këtë rast është se nga përplasja mafioze nuk pati qytetarë të lënduar dhe kjo edhe për shkak se fati deshte kështu.

Ky është një rast që dëshmon se jeta e qytetarit në Tiranë nuk është kaq e sigurt.

Ndërsa, lidhur me ngjarjen, mund të thuhet se duhet shpresuar dhe uruar tek njerëz të drejtësisë, që edhe përballë njerëzve vështirësisht të dënueshëm, të vendosë vërtetë drejtësi.

Sikundër, ngushëllimet iu shkojnë familjarëve të viktimave, të cilët, sidoqoftë, humbën të dashurit e tyre. /albeu.com/

nga Dionis Xhafa

Shtuar më 01/06/2015, ora 01:16

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori