EMRAT/ U prezantuan si zyrtarë të lartë të institucioneve dhe tentuan të zhvatnin biznesmenin në Tiranë, arrestohen 3 persona

Policia e Tiranës ka arrestuar 3 persona të cilët tentuan të përfitonin një shumë të madhe parash nëpërmjet mashtrimit nga një biznesmen.

Një 40-vjeçar, i dyshuar si organizator i kësaj skeme mashtrimi është shpallur në kërkim.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë dhe Stacionin e Policisë Farkë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve ekonomike, , në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Replay”, për identifikimin, kapjen dhe vënien në pranga të disa shtetasve të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin tentuar të mashtronin një biznesmen, për të përfituar shumën 35 000 euro.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve Afrim Radici, 34 vjeç, banues në Librazhd, Gezim Çelanji, 41 vjeç, banues në Skrapar, dhe Qazim Vata, 22 vjeç, banues në Kukës.

Këta shtetas kanë tentuar të mashtrojnë një shtetas (biznesmen), për të përfituar shumën 35 000 euro, duke u prezantuar si zyrtarë të lartë të institucioneve, me emra të ndryshëm.

Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim shtetasi Florian Gjergji, 40 vjeç, i dyshuar si organizator i kësaj skeme mashtrimi. Vijon puna për kapjen e Gjergjit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete dhe 5 aparate celulare.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./Albeu.com./ 


Shtuar 4.08.2023 09:44